Belgjika është bërë shteti i parë në botë që ka vendosur karantinë për rastet me linë e majmunit, pasi ka regjistruar tri infeksione të lidhura me një festival, raporton “The Sun”.
Virusi po përhapet nëpër Evropë, ndërsa mjekët britanikë kanë paralajmëruar pushuesit që të jenë të kujdesshëm, pasi fëmijët kanë më tepër gjasa të sëmuren seriozisht.
Belgjika ka njoftuar se do të ketë karantinë të detyrueshme prej 21 ditëve për çdo person që infektohet nga lija e majmunit.
Në Belgjikë aktualisht janë tri raste, të gjitha të regjistruara të premten dhe të lidhura me “Darklands Festival” që u mbajt në Antwerp.
“Ka arsye për të besuar se virusi është sjellë nga vizitorët që kanë ardhur në këtë festival”, është thënë nga organizatori.
Virusi mund të jetë dukshëm më i dëmshëm për fëmijët, dhe është raportuar se një fëmijë britanik që është infektuar me këtë virus po lufton për jetën dhe është në kujdes infektiv.
Në një intervistë për BBC, infektologia britanike Susan Hopkins, ka thënë se sipas raporteve nga përhapjet në Afrikë, disa individë janë më të rrezikuar nga lija e majmunit, veçanërisht fëmijët.
“Te të rriturit, kalohet relativisht me simptome të buta”, ka thënë Hopkins.