Bashkimi Evropian ka njoftuar një konferencë donatorësh për të mbledhur fonde për Turqinë dhe Sirinë, derisa të dy vendet vazhdojnë të përballen me shkatërrimin e shkaktuar nga një tërmet me magnitudë 7.8 mëngjesin e së hënës.
Shefja e bllokut, Ursula von der Leyen, njoftoi konferencën në një deklaratë të përbashkët të mërkurën pas një telefonate me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, raportoi CNN-i.
Ngjarja do të mbahet në mars në Bruksel, sipas deklaratës.
Von der Leyen, e cili është presidente e Komisionit Evropian, theksoi se prioriteti i bllokut tani është të "punojë gjatë gjithë kohës për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur, pasi shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja, në ndërtesa".
Në një njoftim për shtyp të mërkurën, BE-ja tha se operacioni aktual është një nga "operacionet më të mëdha të kërkim-shpëtimit" të kryera përmes Mekanizmit të saj të Mbrojtjes Civile.
Deri më tani, blloku tha se ka dërguar 31 ekipe kërkimi dhe shpëtimi dhe 5 ekipe mjekësore nga 23 vende në zonat e prekura në Turqi dhe Siri.
Autoritetet siriane i bënë thirrje BE-së të aktivizojë Mekanizmin e saj të Mbrojtjes Civile të mërkurën në mëngjes, ndërsa homologët e tyre turq i kërkuan bllokut të aktivizojë mekanizmin mbështetës të hënën, sipas njoftimit.
Blloku gjithashtu u zotua t'i sigurojë Turqisë 3 milionë euro ndihmë. Siria do të marrë 3.5 milionë euro ndihmë emergjente.