Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja propozon sanksione kundër Rusisë në emër të Navalnyt

Josep Borrell

Josep Borrell

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka folur në Bruksel, ku po takohen liderët e BE-së, raportoi BBC-ja. 

Ai ka thënë se blloku duhet t’i dërgojë një mesazh mbështetjeje opozitës ruse pas vdekjes së rivalit më të madh të presidentit Vladimir Putin, Alexei Navalny.

Anëtarët pritet të diskutojnë sanksionet e reja kundër Moskës në takimin e së hënës, duke planifikuar t'i vendosin ato deri në dy vjetorin e luftës në Ukrainë.

Borrelli propozoi gjithashtu që BE-ja të riemërtojë regjimin e saj të sanksioneve për të drejtat e njeriut, i cili synon individët dhe entitetet përgjegjëse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, në emrin e të ndjerit Navalny.

Se do të kërkohen më shumë sanksione kundër Rusisë për vdekjen e Navalnyt e ka thënë edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, përpara një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së, ku do të marrë pjesë e veja e aktivistit të burgosur rus.

Baerbock tha se shpreson që blloku 27-vendesh do të binte dakord për sanksione të reja kundër Rusisë së shpejti.

"Kemi parë forcën brutale me të cilën presidenti rus shtyp qytetarët e tij që dalin në rrugë për të demonstruar për liri ose për të shkruar për të në gazeta. Do të propozojmë sanksione të reja në dritën e vdekjes së Alexei Navalnyt”, ka thënë ajo.

Navalny vdiq në një burg të Arktikut javën e kaluar. Ish-avokati 47-vjeçar u ngrit në krye të fushatës kundër korrupsionit në Rusinë e Putinit. Ai ishte i njohur për retorikën e tij në protestat publike dhe në dhomat e gjyqit, praninë e zëshme në rrjetet sociale dhe hetimet e hollësishme të videove të ekipit të tij për korrupsionin shtetëror.

Artikuj të ngjashëm