Botë

BE-ja paralajmëron Hungarinë nëse ajo dërgon autobusin me emigrantë në Bruksel

Konferenca e Bashkimit Evropian

Dega ekzekutive e Bashkimit Evropian, e ka quajtur kërcënimin e Hungarisë për të dërguar një autobus me emigrantë në Bruksel në shenjë hakmarrjeje ndaj politikave të BE-së, si të papranueshme, raporton agjencia “AP”.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar po ashtu se do t’i përgjigjet Hungarisë në rast se ndërmerr këtë veprim. 

Qeveria antimigracion e Hungarisë bëri të ditur javën e kaluar se do t’u ofrojë një udhëtim falas emigrantëve për në Bruksel, masë që synon të bëjë presion ndaj Komisionit Evropian, që të heqë gjobat e rënda të vendosura ndaj vendit për politikat e tij kufizuese të azilit.

Në qershor, Gjykata Evropiane e Drejtësisë urdhëroi Hungarinë që të paguajë një gjobë prej 200 milionë eurosh për shkeljen e vazhdueshme të rregullave të bllokut sa i përket azilit dhe një milion euro shtesë në ditë derisa të përputhë politikat e saj me ligjin e BE-së. 

Komisioni Evropian është në kontakt me autoritetet hungareze dhe vendet tjera fqinje ku autokolona mund të kalojë.

Autobusët do të duhet të kalojnë ose Francën ose Gjermaninë, të cilat së bashku me Luksemburgun dhe Holandën rrethojnë Belgjikën, dhe ndoshta vende të tjera anëtare të BE-së si Austria, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia ose Republika Çeke.

“Ne jemi të gatshëm që të përdorim të gjitha fuqitë tona sipas traktatit, për të siguruar që ligji i BE-së të respektohet”, ka paralajmëruar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper.