Komisioni Evropian është shprehur i shqetësuar me miratimin e Ligjit për luftimin e lajmeve të rreme dhe keqinformimit në Turqi.
Komisioni Evropian ka deklaruar se Ligji paraqitet në gjuhë shumë të paqartë në atë që përbën informacion të rremë ose keqinformues.
Zëdhënësi i KE-së, Peter Stano, ka thënë se BE-ja frikësohet se ligji do të shtypë edhe më shumë liritë e shprehjes dhe median e pavarur në Turqi.
Kritikët kanë shprehur frikën se Ligji i miratuar të enjten do t’i shtypë raportimet në mediat sociale dhe ato të pavarura në kohën kur Turqia po përgatitet për zgjedhje. Ligji është miratuar me votat e partisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe aleatëve të tij nacionalistë.
Një pikë e ligjit dënon me tre vjet burgim të gjithë ata që përhapin informacione që janë të kundërta me të vërtetën për sigurinë e brendshme dhe ndërkombëtare të Turqisë.
Kritikët kanë thënë se përdoruesit e rrjeteve sociale do të burgosen për postimin e informacioneve të cilat Qeveria mund t’i cilësojë si lajme të rreme. Qeveria e Erdoganit vazhdimisht i ka cilësuar lajmet e rreme si kërcënim i sigurisë.