Botë

BE-ja kundër pranisë së kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore në Serbi

BE-ja ka bërë thirrje edhe një herë që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të mos ketë mohim të gjenocidit, relativizim të krimeve të luftës apo glorifikim të kriminelëve.

Këto porosi, zyrtarë të BE-së, i kanë dhënë duke u përgjigjur në pyetjet rreth pjesëmarrjes së disa kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore në Serbi.

Zgjedhjet presidenciale e parlamentare në Serbi, do të mbahen të dielën (3 prill).

Disa media dhe organizata të shoqërisë civile në Serbi, kanë tërhequr vërejtjen se në tubimet parazgjedhore të Partisë Progresiste Serbe, kryetari i së cilës është Aleksandar Vuçiq, kanë marrë pjesë edhe kriminelë të luftës, të cilët kanë edhe vendime të plotfuqishme të gjykatave për krimet që i kanë kryer.

Në mesin e tyre është edhe gjenerali Vladimir Llazereviq, i dënuar për krime kundër shqiptarëve në Kosovë dhe Veselin Slivanshanin, i dënuar për krimet në Vukovar të Kroacisë.

Për këtë, në BE kanë thënë se në Evropë nuk ka vend për mohim të gjenocidit, relativizim të krimeve të luftës apo glorifikim të krimeve.

Kanë bërë ftesë që liderët me shembujt e tyre të dëshmojnë se si duhet të punohet për pajtim, duke respektuar viktimat dhe duke u përballur me rrënjët e urrejtjes që kanë çuar të gjenocidi.

Çështja e relativizimit të krimeve nga ana e Serbisë ka qenë gjithmonë problem për BE-në, kjo është përmendur edhe në disa raste të komunikimit interne. U përmend edhe në raportin e progresit, por BE-ja s'ka marrë masa.