Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

G7 premton 18.7 miliardë euro ndihmë për Ukrainën

Vendet e industrializuara të G7-s kanë premtuar 18.7 miliardë euro për të forcuar financat publike të Ukrainës ndërsa Kievi po lufton pushtimin e Rusisë, raportoi The Guardian të premten.

Grupi që përbëhet nga SHBA-ja, Japonia, Kanada, Britania, Gjermania, Franca dhe Italia, premtoi para të mjaftueshme që ta mbajë në këmbë ekonominë e Ukrainës për aq gjatë sa të vazhdojë lufta.

“Ne u pajtuam për veprime konkrete për të thelluar bashkëpunimin ekonomik multilateral dhe theksuam përkushtimin tonë në përgjigjen ndaj luftës dhe agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe mbështetjen tonë të paluhatur për Ukrainën”, thuhet në deklaratën përmbyllëse nga takimi i përfaqësuesve të G7-s.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ia ka dhënë 600 milionë euro Ukrainës sipas një programi të ndihmës financiare, ka thënë kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, të premten.

Shmyhal shkroi në Twitter se ai ishte mirënjohës ndaj Komisionit Evropian dhe presidentes së tij, Ursula von der Leyen.

“Ne do të fitojmë dhe rindërtojmë Ukrainën së bashku”, ka shkruar ai ndër tjerash.