Botë

BE-ja i jep dritën e gjelbër Bullgarisë për euron

BE-ja i jep dritën e gjelbër Bullgarisë për euron

Foto: Associated Press

Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane i ka dhënë dritën e gjelbër Bullgarisë për të adoptuar valutën euro nga fillimi i vitit 2026, duke e bërë Bullgarinë shtetin e 21-të që i bashkohet zonës së përbashkët monetare, ka raportuar Reuters.

Përmes një raporti, që përshkruan se si ekonomia bullgare përputhet me pjesën tjetër të eurozonës, Komisioni ka bërë të ditur se Bullgaria ka përmbushur kriteret formale të nevojshme për të adoptuar valutën tashmë të përdorur nga 347 milionë evropianë në 20 shtete.

“Sot, Komisioni Evropian ka konkluduar se Bullgaria është e gatshme të adoptojë euron me fillim nga data 1 janar e vitit 2026 - një moment kyç që do ta bënte atë shtetin anëtar të 21-të që do t’i bashkohej eurozonës”, thuhet në njoftimin e Komisionit.

Komisioni gjithashtu ka shqyrtuar nëse ekonomia bullgare dhe tregjet e saj janë të integruara sa duhet me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, si dhe trendet në bilancin e pagesave të vendit.

Në një raport tjetër të përpiluar nga Banka Qendrore Evropiane, konstatohet se Bullgaria është gati.

Bullgaria është përpjekur ta kalojë monedhën e saj lev në euro që kur u anëtarësua në Bashkimin Evropian në vitin 2007.

Por, pas një pritjeje kaq të gjatë, shumë bullgarë e kanë humbur entuziazmin paraprak, teksa 50 për qind prej tyre tashmë janë skeptikë ndaj euros, bazuar në sondazhin e Eurobarometrit në muajin e kaluar.