Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shqipëria nis përgatitjet për ta zëvendësuar lekun me euro

Shqipëria nis përgatitjet për ta zëvendësuar lekun me euro

Shqipëria ka nisur përgatitjet ligjore për adoptimin e monedhës euro. 

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, përfshin për herë të parë një kapitull të veçantë që rregullon funksionimin e Bankës së Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Eurozonë, raportoi A2.

Sipas projektligjit, nga dita kur euro të prezantohet si monedha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, ajo do të bëhet njësia monetare e vendit, duke zëvendësuar lekun.

Dokumenti përcakton se Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

Po ashtu, Banka e Shqipërisë do të ketë kompetencën të përcaktojë dizajnin kombëtar të monedhave metalike euro që do të emetohen nga Shqipëria, duke respektuar standardet e Bashkimit Evropian.

Shqipëria gjatë kësaj jave mbylli tre kapitujt e parë negociues për anëtarësim në BE. I kanë mbetur edhe 30.