Botë

BE-ja heq sanksionet ndaj Sirisë

Kaja Kallas

Foto: Associated Press

Bashkimi Evropian ka votuar për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, ka njoftuar të martën shefja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Kallas ka deklaruar se ministrat e BE-së kanë rënë dakord të heqin të gjitha sanksionet ekonomike ndaj Sirisë, por ka theksuar se vendimi është "i kthyeshëm", raporton AP.

“Nuk mund të ketë paqe pa rrugën drejt rimëkëmbjes ekonomike dhe ne të gjithë kemi nevojë për një Siri të qëndrueshme”, ka thënë Kallas në një konferencë për media.

Heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë e ka paralajmëruar javën e kaluar edhe presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë turneut të tij katërditor në Lindjen e Mesme. Një ditë pas njoftimit, Trumpi ka takuar në Riad të Arabisë Saudite presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa.

Ndërkohë, Kallas gjithashtu ka folur për marrëdhëniet tregtare të BE-së me Izraelin dhe urdhrin e saj që të rishikohen ato.

"Nga diskutimi i sotëm është e qartë se ka një shumicë të fortë në favor të rishikimit të nenit 2 të marrëveshjes sonë të asocimit me Izraelin. Kështu që ne do të nisim këtë. Dhe ndërkohë, i takon Izraelit të zhbllokojë ndihmën humanitare”, është shprehur Kallas. 

Kjo vjen ndërsa Izraeli vazhdoi të martën me ofensivën e re ushtarake në Gazë, pavarësisht nga kritikat ndërkombëtare në rritje, duke nisur sulme ajrore të cilat raportohet të kenë lënë të vdekur të paktën 80 palestinezë.