Bashkimi Evropian ka refuzuar disa pjesë të planit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për paqen në Lindjen e Mesme.
Plani amerikan nga BE-ja është cilësuar si shkelje të “parametrave të dakorduar ndërkombëtarisht” dhe duke e paralajmëruar sfidimin e çdo përpjekjeje izraelite për aneksimin e tokave palestineze.
Plani i presidentit Donald Trump, i shpalosur javën e shkuar, ishte mirëpritur nga Izraeli, por ishte kundërshtuar ashpër prej palestinezëve, raporton Reuters. Ai ia siguron Izraelit të gjitha ato që i kishte kërkuar gjatë konfliktit disadekadësh, përfshirë pothuajse të gjitha tokat palestineze, ku tanimë ka ndërtuar koloni.
BE-ja, së cilës rëndom i duhet shumë kohë për t’iu përgjigjur zhvillimeve ndërkombëtare shkaku i unanimitetit të domosdoshëm mes 27 vendeve anëtare, ka njoftuar javën e shkuar se i duhet që ta studiojë planin e Trumpit para se ta japë një verdikt të vetin.
Ishte shefi për Politika të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, ishte ai që e shpalosi kundërshtimin.
“Ndërtimi i paqes së qëndrueshme, zgjidhja e çështjes së statusit përfundimtar kërkojnë vendimmarrje përmes negociatave të drejtpërdrejta midis dy palëve. Iniciativa amerikane, ashtu siç është prezantuar më 28 janar, përbën shkëputje prej parametrave të dakorduar ndërkombëtarisht”, ka thënë Borrell, transmeton KTV.
Politikat e BE-së në Lindjen e Mesme janë përcaktuar përherë me një dozë maturie, pasi blloku përfshin vende anëtare që janë të ndara për sa i përket mbështetjes për palën palestineze apo Izraelin.
Disa prej tyre tanimë e kanë njohur shtetin palestinez, ndonëse blloku si tërësi pretendon se çështja duhet të zgjidhet përmes bisedimeve paqësore.
BE-ja e kishte dënuar edhe vendimin e Trumpit më 2017 për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, duke pretenduar se Washingtoni e ka kompromentuar në këtë mënyrë pozitën e tij si ndërmjetës paqësor.