Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Avancimi i talebanëve: SHBA-ja nxit amerikanët të largohen nga Afganistani

Alarmi u dha disa muaj pasi Departamenti i Shteti i urdhëroi nëpunësit qeveritarë në Ambasadën amerikane në Kabul që të largohen, si dhe në kohën kur militantët po i avancojnë depërtimet dhe po i ashpërsojnë sulmet në qytetet kryesore afgane

Shtetet e Bashkuara kanë nxitur të gjithë amerikanët që të largohen menjëherë nga Afganistani, duke pretenduar se mundësitë e Ambasadës në Kabul për t’i ndihmuar janë “jashtëzakonisht të kufizuara”, shkaku i gjendjes së sigurisë dhe stafit të reduktuar.

Ambasada ka dhënë alarmin për siguri të shtunën, duke u kërkuar amerikanëve që të largohen me aeroplanë komercialë dhe duke u ofruar hua të riatdhesimit qytetarëve që nuk mund t’i blejnë biletat, kanë raportuar të shtunën mediat amerikane.

Alarmi u dha disa muaj pasi Departamenti i Shteti i urdhëroi nëpunësit qeveritarë në Ambasadën amerikane në Kabul që të largohen, po qe se mund të punojnë në vende të tjera. Krejt këto zhvillime kanë ndodhur në kohën kur militantët po i avancojnë depërtimet dhe po i ashpërsojnë sulmet në qytetet kryesore afgane.

Të premten, militantët kanë zaptuar qytetin Zaranj, në krahinën Nimroz afër kryeqytetit, ndërsa të shtunën kanë marrë nën kontroll edhe kryeqytetin krahinor.

“Qyteti Sheberghan ka rënë tërësisht në duart e talebanëve”, ka thënë Babur Eshchi, shef i Këshillit krahinor afgan, duke folur për televizionin amerikan “CBS News”.

Edhe Tërheqja e SHBA-së dhe kapitulli i ri për Afganistanin Botë Tërheqja e SHBA-së dhe kapitulli i ri për Afganistanin

Militantët kanë vënë nën kontroll shtabin e përgjithshëm policor të qytetit dhe selinë e Agjencisë së Inteligjencës, sikurse edhe shumicën e godinave qeveritare, përfshirë zyrën e guvernatorit. Vetëm një bazë ushtarake jashtë qytetit ende kontrollohet nga ushtria, ka theksuar Halima Sadaf Karimi, deputete nga krahina Jowzjan.

“Talebanët kanë nisur t’i kërkojnë njerëzit derë më derë”, ka thënë ajo. “Shumë civilë janë lënduar në luftimet e deritanishme. Njerëzit nuk mund t’i dërgojnë familjarët e lënduar në spitale”.

Talebanët po zhvillojë betejë të ashpër parë kontroll në Afganistan, pasi grupi nënshkroi marrëveshje të tërheqjes me amerikanët më 2020 dhe administrata e presidentit Joe Biden u zotua për tërheqjen e plotë nga vendi deri në fundin e gushtit.

Disa media amerikane kanë raportuar se pritet që së shpejti, presidenti afgan, Ashraf Ghani, të shpallë gjendje të intervenimit ushtarak, përfshirë planet për ta rritur sigurinë në qytetin e Kabulit.

Në krahinën veriore Kunduz, ku gjatë së shtunës janë zhvilluar luftime intensive, të paktën 96 persona janë lënduar dhe 11 janë vrarë në 24 orët e fundit, ka njoftuar drejtori i spitalit krahinor, Ehsanullah Fazly. Gra, burra dhe fëmijë raportohet se janë mes viktimave teksa ambulancat nuk po arrijnë t’i evakuojnë të lënduarit, shkaku i luftimeve intensive në kryeqytet.

Ambasada amerikane në Afganistan ka dënuar kapjen e qyteteve nga talebanët.

“E dënojmë ofensivën e re të dhunshme talebane kundër qyteteve afgane. Këtu përfshihen zaptimi i paligjshëm i Zaranjit, sulmi në Sheberghan dhe përpjekjet e vazhdueshme për të kapur Lashkar Gahun në Helmand dhe kryeqytetet krahinore gjetkë”, ka njoftuar Ambasada në një komunikatë për shtyp. “Këto veprime të talebanëve për imponimin e dhunshëm të sundimit janë të papranueshme dhe e shkelin premtimin e grupit për ta mbështetur zgjidhjen e negociueshme të situatës në procesin e paqes në Doha”.

Edhe Tërheqja e SHBA-së dhe kapitulli i ri i Afganistanit Botë Tërheqja e SHBA-së dhe kapitulli i ri i Afganistanit

“U bëjmë thirrje talebanëve që të dakordohen rreth një armëpushimi të përhershëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe të angazhohen plotësisht në negociatat e paqes për t’u dhënë fund vuajtjeve të popullit afgan dhe për t’i hapur rrugën një zgjidhjeje politike që u sjell dobi të gjithë afganëve, teksa garanton që Afganistani të mos shërbejë sërish si vatër e sigurt për terroristët”, thuhet në njoftimin e transmetuar nga mediat.

Thirrja e Ambasadës për largimin e menjëhershëm të amerikanëve nga vendi pritet ta thellojë edhe më shumë zhgënjimin e afganëve me Washingtonin.