Dy fëmijë vdiqën dhe gjashtë të tjerë u lënduan kur një autobus u përplas në një çerdhe në Quebec të Kanadasë, ka bërë të ditur policia kanadeze.
Shoferi 51-vjeçar i autobusit, i cili ishte punonjës i sistemit të transportit publik lokal, është arrestuar dhe akuzuar për vrasje dhe drejtim të pakujdesshëm, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Rrethanat e sakta të ngjarjes, e cila ndodhi në periferi të Montrealit, Laval, janë të paqarta.
"Ne mendojmë se është e qëllimshme, por nuk e dimë motivin”, ka thënë Pierre Brochet, shefi i policisë në Laval.
Një dëshmitar okular ka thënë se shoferi doli nga autobusi pas përplasjes, hoqi rrobat e tij dhe filloi të vepronte në mënyrë të çrregullt.
Çerdhja ndodhet në një rrugë të qetë në Laval dhe policia e rrethoi zonën të mërkurën pasdite. Një qendër krizash është ngritur aty pranë për të ndihmuar prindërit dhe familjet, tha policia.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i cili tha se mendimet e tij ishin "me familjet në Laval që po jetojnë momente tepër të vështira”.
“Shpresojmë që të gjithë të jenë mirë", ka thënë Trudeau.