Australia ka anuluar një vendim të marrë katër vjet më parë për të njohur Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.
“Vendimi i Canberra-s në vitin 2018 e ka vënë Australinë jashtë hapit me kombet e tjera”, tha ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, raportoi BBC-ja të martën.
Ajo theksoi se Australia mbetet një "mik i palëkundur" i Izraelit, duke shtuar se ambasada e saj do të qëndrojë në Tel Aviv.
Statusi i Jerusalemit është një nga çështjet më të kontestuara mes Izraelit dhe palestinezëve.
Ministria e Jashtme e Izraelit ka shprehur "zhgënjimin e saj të thellë" për vendimin e Australisë, duke bërë të ditur se do të thërrasë ambasadorin e saj, njoftuan mediat izraelite.
Edhe
Qeveria australiane anulon njohjen e Jerusalemit si kryeqytet izraelit
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, nxiti kritika ndërkombëtare në vitin 2017, kur e njohu qytetin antik si kryeqytet të Izraelit. Ambasada amerikane u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem në maj të vitit 2018.
Muaj më vonë, kryeministri i atëhershëm i Australisë, Scott Morrison njoftoi se qeveria e tij do të ndiqte shembullin.
Në atë kohë, Morrison tha se Australia do ta njohë Jerusalemin Perëndimor menjëherë, por nuk do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi derisa të arrihet një zgjidhje paqeje.
Izraeli e konsideron Jerusalemin si kryeqytetin e tij "të përjetshëm dhe të pandarë", ndërsa palestinezët pretendojnë Jerusalemin Lindor - të pushtuar nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm.
Edhe
Ambasadori i Palestinës: Vendosja e ambasadës në Jerusalem, arsye pse s’e njohim Kosovën
Statusi i Jerusalemit është në zemër të konfliktit izraelito-palestinez.
Sovraniteti izraelit mbi Jerusalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht dhe sipas marrëveshjeve të paqes izraelito-palestineze të vitit 1993, statusi përfundimtar i Jerusalemit është menduar të diskutohet në fazat e fundit të bisedimeve të paqes.