Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ashpërsohen rregullat për azil në Hungari

Foto: VoA

Hungaria ka mbyllur të enjten të ashtuquajturat zona për kalimin e migrantëve në kufirin e saj, duke i liruar rreth 300 refugjatë prej kushteve të ngjashme me ato në burgje dhe duke ashpërsuar në të njëjtën kohë rregullat, që në esencë ndalojnë kërkesat e ardhshme për azil.

Gjatë pikut të krizës evropiane me migrantë, më 2015, kryeministri hungarez, Viktor Orban kishte urdhëruar mbylljen e kufirit jugor të Hungarisë, duke e bllokuar shtegun për qindra mijëra migrantë.

Disa prej tyre kanë mbetur të ngujuar në zona të tranzitit, sipërfaqe këto prej disa qindra metrash katrorë, në kufirin midis Hungarisë dhe Serbisë. Këto zona, subjekt i padive ndërkombëtare, janë kritikuar prej grupeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, raporton Reuters, transmeton KOHA.

Zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs ka shkruar në një blog se aplikacionet për azil në të ardhmen do të duhet të dorëzohen në konsullatat në shtetet fqinjve.

Dega në Hungari e Komitetit të Helsinkit, që e ka paditur Budapestin rreth zonave, e ka përshëndetur mbylljen e tyre, por ka thënë se tani refugjatët do ta kenë edhe më të vështirë të sigurojnë azil në BE përmes Hungarisë.