Policia izraelite ka publikuar emrat e dy bashkëpunëtorëve të afërt të kryeministrit, të arrestuar për përfshirje në korrupsion, raporton KTV. Policia njoftoi se të arrestuar janë Shlomo Filber, ish-drejtor në Ministrinë e Komunikimit sa Netanyahu ishte ministër nga viti 2015-2017 dhe Nir Hefetz, ish-zëdhënës i Netanyahut.
Ata dyshohet se kishin promovuar rregulloren, nga e cila kompania izraelite e telekomunikimit Bezek do të përfitonte qindra milionë dollarë në këmbim me raportim pozitiv për ministrin në portalin e saj. Netanyahu, i cili dyshohet për korrupsion në dy raste të ndara në këtë çështje, ende nuk është përmendur si i dyshuar.
Ndërkohë, tashmë janë arrestuar edhe disa persona në pozita të larta në kompaninë Bezek. Gazetarët, që dikur punonin në këtë portal, kanë thënë se ishin nën presion të madh që të përmbaheshin nga artikujt negativ për kryeministrin. Policia posedon dëshmi për këtë, respektivisht mesazhet që bashkëpunëtorët e kryeministrit u kishin dërguar gazetarëve.