Një dëshmitare kyç në gjyqin për korrupsion ndaj ish-kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dëshmuar se shefi i saj miliarder e urdhëroi atë që t’i dërgonte dhurata me shampanjë, puro dhe bizhuteri të shtrenjta kryeministrit të atëhershëm izraelit, një skandal në mes të krizës politike në vend.
Dhuratat e shtrenjta të bëra për ish-liderin izraelit nga miq të pasur janë subjekt i një prej tri rasteve të korrupsionit kundër Netanyahut. Ai akuzohet për mashtrim, shkelje të besimit dhe marrje ryshfeti, akuza që ai i ka mohuar dhe hedhur poshtë si pjesë e një përpjekjeje për ta larguar nga detyra, raportoi të mërkurën AP-ja.
Gjyqi është futur në vitin e dytë ku shqyrtohen pretendimet se, derisa ishte në zyrë Netanyahu pranoi dhurata në vlerë qindra mijëra dollarë nga producenti i filmave të Hollywoodit, Arnon Milchan, dhe miliarderi australian, James Packer.
Hadas Klein, asistente e Milchan, i tha gjykatës se ajo ishte udhëzuar të blinte dhurata për kryeministrin dhe bashkëshorten e tij, që shefi i saj të mund të ishte mirë me çiftin.
“Nuk mund të vish duarthatë, sepse nëse vjen duarthatë nuk do të ftohesh sërish”, citohet të ketë thënë ajo.
Klein paraqiti faturën me vlerën e cigareve që shkonte diku në 12.000 dollarë dhe përshkroi kërkesat nga bashkëshortja e ish-kryeministrit, Sara Netanyahu për shishet e shampanjës dhe stolive të shtrenjta.
Gjatë dëshmisë emocionale, Klein shpjegoi keqtrajtimin me të cilin ishte përballur, duke thënë se gruaja e kryeministrit i bërtiste kur ajo dështonte t’i ofronte dhuratat e kërkuara.
Aktakuza thotë se Netanyahu përdori pozitën e tij për t’i shtyrë përpara interesant e Milchanit, duke shkaktuar konflikt interesi mes detyrave të tij publike dhe miqësisë personale. Netanyahu i bëri favore personale Milchanit.
Netanyahu u rrëzua nga detyra vitin e kaluar pasi tetë parti të ndryshme ideologjikisht, bashkuan forcat dhe formuan një qeveri koalicioni. Koalicioni u shemb javën e kaluar pas muajsh luftimesh dhe dezertimesh.