Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka konfirmuar largimin nga posti. Ajo njihet si lidere që i priu shtetit në kohët më të rënda, sidomos gjatë sulmit në masë, në të cilin u vranë dhjetëra persona. Në ditën e lajmit për dorëheqje, Ardern ka thënë se do të përqendrohet te e bija dhe i fejuari i saj, me të cilin kishin shtyrë planet për martesë shkaku i pandemisë së koronavirusit.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, që i priu shtetit në ditët më të rënda të sulmit masiv në të cilin u vranë dhjetëra njerëz dhe menaxhoi pandeminë në formën më të mirë për t’u bërë ikonë ndërkombëtare, të enjten ka njoftuar se do të largohet nga posti.
Me lot në sy, Ardern në konferencën për media në Napier ka thënë se 7 shkurti do të jetë dita e saj e fundit si kryeministre.
Ardern gjithashtu ka thënë se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen më 14 tetor. Deri atëherë ajo do të mbetet deputete.
Mbetet e paqartë se kush do të jetë kryeministër deri në zgjedhjet e tetorit.
Zëvendëskryeministri Grant Robertson ka njoftuar se nuk do të garojë për postin e kryetarit të Partisë Laburiste.
Ardern e ka cilësuar punën e saj si ndër më të privilegjuarat, por edhe sfiduese. Kjo punë, sipas saj, kërkonte një qëndrim më të rezervuar për t’u përballur me të papriturat. Mirëpo këtë qëndrim ka thënë se nuk e ka më.
“Kam kaluar shumë kohë duke menduar për vendimin, sepse ishte kritik dhe se nuk ka pasur shumë kohë për vetëreflektim. Çdo moment, edhe ata më të vështirët i cilësoj si privilegj. Një gjë është t’i prishë shtetit në kohë paqeje, tjetër gjë është në kohë krize”, ka thënë Ardern.
Partia e saj laburistë fitoi zgjedhjet para dy vjetësh, por sondazhet e fundit kanë treguar se partia e saj është prapa rivalëve konservatorë.
Ani pse ishte lavdëruar për menaxhimin rigoroz të pandemisë, Ardern është kritikuar në Zelandën e Re se strategjia e saj ishte shumë e ashpër.
Ardern në muajin dhjetor kishte bërë të ditur se një komision do të hetonte nëse Qeveria ka marrë vendimet e duhura për menaxhimin e pandemisë së COVID-19 dhe si mund të përgatitet për pandemitë e ardhshme.
Ky raport pritet të publikohet në vitin 2024.
Deputetët në partinë laburiste do të votojnë për liderin e ri të dielën.
Frymëzim për gratë
Ardern u bë frymëzim për gratë në botë kur për herë të parë siguroi fitoren në vitin 2017. Ajo përfaqësonte gjeneratën e re të lidershipit – kishte përvojë si DJ dhe nuk ishte e martuar si krejt politikanët e tjerë.
Në vitin 2018, Ardern u bë vetëm liderja e dytë në botë që lind gjatë angazhimit si kryeministre.
Ajo siguroi fitoren e qendrës së majtë teksa popullizmi i krahut të djathtë ishte në rritje në krejt botën. Ajo bëri përpjekje për emetime zero të karbonit deri në vitin 2050, ndaloi armët në Zelandën e Re dhe mbajti koronavirusin larg kufijve të shtetit për më shumë se 18 muaj.
Qasja e saj ndaj pandemisë nxiti reagimin e ashpër të atëherë presidentit amerikan Donald Trump dhe mohoi akuzat e tij se pandemia ishte përhapur me të madhe në Zelandën e Re.
Masakra në Christchurch
Në marsin e vitit 2019, Ardern u përball me ditët më të errëta në historinë e Zelandës së Re kur një supremacist i racës së bardhë hyri në dy xhamitë e Christchurch dhe masakroi 51 besimtarë gjatë xhumasë. Ardern ishte lavdëruar për afërsinë me të mbijetuarit dhe komunitetin mysliman në shtetin e saj.
Pas vrasjeve në xhami, Ardern brenda pak javësh prezantoi ligjet e reja që ndalonin armët gjysmautomatike. Për pak kohë u asgjësuan më shumë se 50 mijë armë dhe municione nga Policia e Zelandës së Re.
Vetëm nëntë muaj pas vrasjeve masive, ajo u përball me një tjetër tragjedi kur 22 turistë humbën jetën nga shpërthimi i vullkanit në White Island.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se Ardern “i ka treguar botës si të udhëhiqet me intelekt dhe forcë”.
“Ajo i ka shfaqur afërsinë dhe kualitetet e fuqishme të lideres. Ka qenë mbrojtëse e patrembur e Zelandës së Re dhe frymëzim për shumë njerëz”, ka shkruar Albanese në rrjetin social, Twitter.
Ardern ndoqi një shteg të pavarur për Zelandën e Re. Ka bërë përpjekje që të ketë qasje më diplomatike ndaj Kinës për dallim nga Australia që përfundoi me përplasje me Pekinin. Në një intervistë për “Associated Press” gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, Ardern ka thënë se marrëdhëniet me shtetet e vogla të Paqësorit nuk duhet të bëhen lojë me Kinën.
Opozitari në Zelandën e Re, Christopher Luxon, ka thënë se Ardern ishte ambasadore e fuqishme në skenën botërore. Ai ka thënë se partia nuk ndryshon kahe dhe mbetet e përqendruar për t’i fituar zgjedhjet e sivjetme.
Ardern ka thënë se nuk kishte shumë kohë për të menduar për punën e saj si kryeministre, ani pse ka thënë se përjetoi kriza.
“Mendoj se sfidat e grumbulluara me të cilat jemi përballur si ekip, kanë qenë të jashtëzakonshme dhe e kanë bërë të veten. Këtë punë e konsideroj privilegj, por edhe unë jam njeri. Reflektimi ka qenë tërësisht personal. Kam mbështetjen e familjes për të vazhduar dhe në fakt disa anëtarë donin që unë të vazhdoja, por edhe ata mbështetën vendimin tim”, ka thënë kryeministrja Ardern në konferencën për media të mbajtur të enjten.
Aya Al-Umari, vëllai i së cilës, Husseini, u vra në sulmet në Christchurch, ka thënë se i ishte mirënjohëse Ardernit. Ka thënë se lidershipi i saj dhe afërsia kanë shndritur në udhëtimin e errët të të mbijetuarve.
“Kam ndjenja të përziera mes befasisë, pikëllimit dhe lumturisë për të”, ka thënë Al-Umari.
Ardern ka thënë se nuk ka plane të menjëhershme pas largimit nga posti i kryeministres. Ka thënë se do të angazhohet për të bijën, Neve dhe të fejuarin e saj, Clarke Gayford. Shkaku i pandemisë, kryeministrja Ardern kishte shtyrë planet për martesë.
“Për Neven them se nëna mezi pret që të jetë pranë teje kur ti të fillosh shkollën sivjet. Dhe për Clarken, hajde të martohemi më në fund”, ka thënë veç të tjerash Ardern.
Përktheu: Gent Mehmeti