Personaliteti kontrovers i mediave sociale, Andrew Tate, mbërriti në një gjykatë në Rumani në pranga mëngjesin e së martës, për të apeluar kundër vendimit të mëparshëm të një gjyqtari për të zgjatur periudhën e paraburgimit, nga 24 orë në 30 ditë.
Tate po akuzohet për pjesëmarrje në një grup të krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore dhe përdhunimit, raportoi Associated Press të martën.
Tate është një 36-vjeçar britaniko-amerikan. Qytetari që ka grumbulluar 4.4 milionë ndjekës në Twitter, fillimisht u ndalua më 29 dhjetor në një zonë në veri të kryeqytetit Bukuresht, së bashku me vëllain e tij Tristanin, i cili akuzohet për të njëjtën çështje. Dy gra rumune janë gjithashtu në paraburgim.
Të katër ata kundërshtuan menjëherë zgjatjen e arrestit më 30 dhjetor. Një dokument që shpjegon motivimin e gjyqtarit për zgjatjen e paraburgimit thotë se "mundësia që ata t'i shmangen hetimeve nuk mund të injorohet" dhe se ata mund "të largohen nga Rumania dhe të vendosen në vendet që nuk lejojnë ekstradimin”.
Një vendim nga Gjykata e Apelit e Bukureshtit pritet të vijë më vonë të martën, tha për AP, Eugen Vidineac, avokati rumun që përfaqëson Tate.
Agjencia rumune kundër krimit të organizuar DIICOT tha pas bastisjeve të fundit të dhjetorit se kishte identifikuar gjashtë viktima në këtë rast, të cilat ishin nënshtruar nga grupi ndaj "akteve të dhunës fizike dhe detyrimit mendor" dhe u shfrytëzuar seksualisht nga anëtarët e grupit.
{gallery}