Kinshasa, Kongo, 22 shkurt (AP) – Ambasadori italian në Kongo, një pjesëtar i policisë italiane dhe shoferi i tyre kongolez janë vrarë të hënën, kur persona të armatosur e sulmuan një autokolonë të Kombeve të Bashkuara që po shkonte për vizitë në një shkollë në lindje të vendit, kanë bërë të ditur Ministria e Jashtme italiane dhe banorët lokalë.
Luca Attanasio, ambasador i Italisë në vend që nga viti 2017, polici Vittorio Iacovacci dhe shoferi i tyre kanë mbetur të vdekur, kanë thënë zyrtarët. Pjesëtarët e tjerë të autokolonës janë lënduar dhe janë dërguar menjëherë në spital, ka njoftuar programi i OKB-së “World Food Programe”.
Sulmi ka ndodhur derisa autokolona po udhëtonte nga Goma, kryeqytet ky rajonal në lindje të Kongos, për ta vizituar një projekt shkollor të WFP-së në Rutshuru.
WFP-ja ka bërë të ditur se sulmi ka ndodhur në një rrugë që më herët ishte siguruar për kalim pa eskortë sigurie.
Rajoni lindor i Kongos është epiqendër e veprimit të grupeve të ndryshme rebele, të cilat luftojnë për ta vënë nën kontroll shtetin e pasur me minerale të Afrikës Qendrore, që ka madhësinë e Evropës Perëndimore.
Sulmi, vetëm pak kilometra në veri të Gomas, ka ndodhur fare pranë parkut kombëtar Virunga.
Kryebashkiaku i Kivusë Veriore, Carly Nzanzu Kasivita, ka thënë se automjetet e OKB-së ishin rrëmbyer nga sulmuesit dhe ishin lënë në shkurre.
“Ka pasur shkëmbim zjarri. Sulmuesit hapën zjarr drejt rojës dhe ambasadorit”, ka thënë kryebashkiaku, duke shtuar se ambasadori më vonë ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.
“Situata është shumë e tensionuar”, ka shtuar ai.
Presidenti italian, Sergio Matteralla, dhe kryeministri, Mario Draghi, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave.
“Rrethanat e këtij sulmi brutal janë ende të paqarta dhe nuk do të kursehet asnjë përpjekje për t’i hedhur dritë asaj që ka ndodhur”, ka thënë ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio.
Di Maio ka udhëtuar nga Brukseli në Romë për t’u takuar me Draghin dhe për t’i informuar ligjvënësit italianë lidhur me sulmin.
Attanasio, një diplomat 43-vjeçar i karrierës, ka lënë prapa vetes gruan dhe tre fëmijë. Pasi shërbeu në misionet diplomatike të vendit në Zvicër, Marok dhe Nigeri, ai ishte caktuar në krye të misionit diplomatik në Kinshasa që nga viti 2017, ndërsa ambasador ishte emëruar më 2019.
Sulmi i së hënës ka ndodhur në të njëjtin fshat, ku dy turistë britanikë ishin rrëmbyer në vitin 2018. Më shumë se 2000 civilë janë vrarë vitin e shkuar në lindje të Kongos, si pasojë e dhunës së grupeve të armatosura, sulmet brutale të të cilave kanë nxitur zhvendosjen e mbi 5.2 milionë qytetarëve në atë që OKB-ja e quan një prej krizave më të rënda humanitare në botë.