Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Aleatët kundërshtojnë SHBA-në për armatosjen e Ukrainës me bomba thërrmuese

SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia nuk kanë nënshkruar konventën, teksa Moska dhe Kievi kanë përdorur bomba thërrmuese gjatë luftës. Ndërkohë, Gjermania, nënshkruese e konventës, ka deklaruar se megjithëse nuk do t'i jepte armë të tilla Ukrainës, ajo e kuptonte pozicionin amerikan.

(BBC) - Disa aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimet ndaj vendimit të Washingtonit për të furnizuar Ukrainën me bomba thërrmuese. Të premten, SHBA-ja ka konfirmuar se do të dërgonte bombat e shumëpërfolura në Ukrainë, teksa presidenti Joe Biden e ka cilësuar si “vendim shumë të vështirë”.

Si përgjigje, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Spanja kanë njoftuar se janë kundër përdorimit të bombave thërrmuese. Këto bomba janë ndaluar nga më shumë se 100 shtete për shkak të rrezikut që paraqesin për civilët. Bombat e tilla lëshojnë shumë bomba më të vogla që mund të vrasin pa dallim në zonë më të gjerë.

Këto bomba kanë shkaktuar po ashtu polemika mbi shkallën e dështimit të tyre. Bombat e pashpërthyera mund të qëndrojnë në tokë për vite dhe më pas të shpërthejnë krejt papritur.

Presidenti amerikan në një intervistë për CNN-in ka thënë se kishte folur me aleatët për vendimin, i cili ishte pjesë e pakos së ndihmave ushtarake që kap vlerën e 800 milionë dollarëve. Bideni ka thënë se iu desh “kohë për t'u bindur që ta merrte këtë vendim”, por ai kishte vepruar, sepse “ukrainasve po u mbaron armatimi”.

Ndërkaq, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka thënë të premten para gazetarëve se bombat thërrmuese amerikane që do të dërgohen në Ukrainë kanë dështuar shumë më rrallë sesa ato që janë përdorur tashmë nga Rusia nëpër konflikte.

Edhe Shtetet e fuqishme kundërshtojnë armatosjen e Ukrainës me bomba thërrmuese Botë Shtetet e fuqishme kundërshtojnë armatosjen e Ukrainës me bomba thërrmuese

Kritikat e shumta

Vendimi i SHBA-së është kritikuar shpejt nga grupet e të drejtave të njeriut. Amnesty International ka thënë se bombat thërrmuese përbëjnë “kërcënim të madh për jetën e civilëve, edhe shumë kohë pasi konflikti të ketë përfunduar”.

Ndërkaq të shtunën, disa aleatë perëndimorë të SHBA-së kanë refuzuar të mbështesin vendimin e saj për të dërguar këto bomba në Ukrainë.

Kur u pyet për qëndrimin e tij ndaj vendimit të SHBA-së, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka thënë se Britania e Madhe ishte një nga 123 vendet që kishin nënshkruar Konventën për Municionet Thërrmuese, e cila ndalon prodhimin ose përdorimin e këtyre bombave.

Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës Margarita Robles shkoi më tej, duke u thënë gazetarëve se vendi i saj kishte “zotim të fortë” se disa armë dhe bomba nuk mund të dërgoheshin në Ukrainë.

“Jo bombave thërrmuese dhe po mbrojtjes legjitime të Ukrainës, e cila ne e kuptojmë se nuk duhet të bëhet me bomba thërrmuese”, ka thënë ajo.

Qeveria kanadeze ka deklaruar se ishte veçanërisht e shqetësuar për ndikimin e mundshëm të bombave te fëmijët. Këto bomba ndonjëherë qëndrojnë të pashpërthyera për shumë vjet.

Kanadaja gjithashtu ka deklaruar se ishte kundër përdorimit të bombave thërrmuese dhe pajtohet plotësisht me Konventën për Municionet Thërrmuese. “Ne e marrim seriozisht detyrimin tonë sipas Konventës për të inkurajuar miratimin e saj universal”, është arsyetuar qeveria kanadeze.

SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia nuk kanë nënshkruar konventën, teksa Moska dhe Kievi kanë përdorur bomba thërrmuese gjatë luftës. Ndërkohë, Gjermania, nënshkruese e konventës, ka deklaruar se megjithëse nuk do t'i jepte armë të tilla Ukrainës, ajo e kuptonte pozicionin amerikan.

“Ne jemi të sigurt se miqtë tanë amerikanë nuk e morën lehtë vendimin për furnizimin me armatim të tillë” ka thënë zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit në konferencën për media.

Efekti i bombave

Ministri i mbrojtjes i Ukrainës ka dhënë garanci se bombat thërrmuese do të përdoren vetëm për të thyer linjat e mbrojtjes së armikut, dhe jo në zonat urbane.

Edhe SHBA-ja abstenon në rezolutën e OKB-së për armëpushim në Ukrainë Botë SHBA-ja abstenon në rezolutën e OKB-së për armëpushim në Ukrainë

Vendimi i Bidenit do të anashkalojë ligjin amerikan që ndalon prodhimin, përdorimin ose transferimin e municioneve thërrmuese me shkallë dështimi prej më shumë se një për qind

Sullivan, këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA-së, ka thënë se bombat thërrmuese të SHBA-së kanë normë dështimi prej më pak se 2.5 për qind, ndërsa ato të Rusisë kanë normë prej 30 deri në 40 për qind.

Koalicioni amerikan i municioneve thërrmuese, i cili është pjesë e fushatës ndërkombëtare të shoqërisë civile që punon për çrrënjosjen e armëve, ka deklaruar se ato do të shkaktonin “vuajtje më të mëdha, sot dhe për dekadat në vijim”.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka qenë gjithashtu kritike. Një përfaqësues i saj ka thënë se “përdorimi i municioneve të tilla duhet të ndalet menjëherë dhe të mos përdoret në asnjë vend”.

Një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes e përshkroi veprimin si “akt dëshpërimi” dhe “dëshmi të pafuqisë përballë dështimit të ‘kundërofensivës’së shumëpërfolur ukrainase”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ka thënë gjithashtu se garancitë e Ukrainës se do t'i përdorte municionet thërrmuese me përgjegjësi “nuk vlenin asgjë”.

Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar më parë SHBA-në dhe aleatët e saj se po marrin pjesë në luftën që po zgjerohet në Ukrainë.

Kundërofensiva e Ukrainës, e cila filloi muajin e kaluar, po vazhdon në rajonet lindore të Donetskut dhe juglindje të Zaporizhzhias.

Javën e kaluar, komandanti i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës, Valery Zaluzhny ka deklaruar se fushata ishte penguar nga mungesa e fuqisë adekuate e armatimit. Ai shprehur zhgënjimin me dërgesat e ngadalta të armëve të premtuara nga Perëndimi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar presidentin amerikan për “pakon e ndihmave ushtarake” në kohë shumë të nevojshme.

Një nga një, aleatët e SHBA-së në NATO janë rreshtuar për t'u distancuar nga vendimi i saj për të furnizuar Ukrainën me bomba thërrmuese

Mirëpo gjenerali Sir Richard Shirreff, ish-zëvendëskomandant i NATO-s në Evropë, mbrojti vendimin e SHBA-së, duke thënë se bombat thërrmuese duhet ta bëjnë më të lehtë për Ukrainën të depërtojë në linjat ruse.

Edhe Macron: 26 shtete të gatshme për dërgimin e trupave në Ukrainë Botë Macron: 26 shtete të gatshme për dërgimin e trupave në Ukrainë

Nëse Perëndimi më herët do të kishte siguruar më shumë armë për Ukrainën, ka thënë ai, atëherë nuk do të kishte pasur nevojë të siguronte këto bomba tani.