Policia e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër korrupsionit, gjatë të cilit janë arrestuar disa ish -zyrtarë të lartë.
Pas disa muajsh në arrest shtëpiak, është arrestuar mëngjesin e së premtes (28 qershor) ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski. Bashkë me të në Shkup, janë arrestuar edhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Transportit, noterë, zyrtarë të kadastrës dhe një biznesmen.
Këto arrestime janë kryer me urdhër të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion. Zyrtarët akuzohen për vepra penale që lidhen me “keqpërdorimin e detyrës dhe korrupsion. Në aksionin e madh policor janë arrestuar edhe dy drejtues së lartë të partisë opozitare VMRO-DPMNE, Dimitar Dimovski dhe Dejan Mitrevski.
Ky operacion i madh policor kundër korrupsionit vjen ndërsa parlamenti votoi pas një debati të vështirë, riorganizimin e qeverisë. Pas një debati të vështirë që zgjati dy ditë, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi të enjten para mesnate ndryshimet në kabinetin qeveritar të kryeministrit Zoran Zaev/Balkanweb.