Botë

Akropoli në Athinë mbyllet përkohësisht për shkak të të nxehtit

Athinë - Akropoli

Foto: Associated Press

Akropoli është mbyllur përkohësisht të martën përderisa temperaturat e larta vazhdojnë të mbërthejnë Greqinë.

Monumenti historik në kryeqytetin grek, Athinë, do të mbyllet nga ora 13:00 deri në 17:00 (koha lokale e Greqisë), kanë njoftuar në Ministrinë e Kulturës.

Parashikohet që temperaturat do të arrijnë deri në 42 gradë Celcius në disa pjesë të vendit evropian të martën, teksa është shpallur alarmi i nivelit të katërt për zjarre të tjera në shumë rajone.

Mbyllja e Akropolit ka ndodhur në kohën kur vala e të nxehtit ka kapluar edhe pjesë të tjera të kontinentit të vjetër, përfshirë Francën dhe rajonin e Katalonjës në Spanjë, disa javë pasi këto zona u goditën nga valë vdekjeprurëse të të nxehtit.

Ndryshimet në orarin e hapjes së Akropolit janë shpallur të hënën, pasi i nxehti ekstrem u rikthye në Greqi gjatë fundjavës.

Sipas autoriteteve, vendimi për mbylljen e përkohshme është bërë “për sigurinë e punëtorëve dhe vizitorëve” të monumentit, i cili vizitohet nga dhjetëra mijëra njerëz në baza ditore, duke grumbulluar rreth 4.5 milionë turistë vetëm në vitin 2024.