Botë

Qyteti më i nxehtë i Evropës në “luftë” për ta ruajtur freskinë

Athina

Athina po përballet me vera gjithnjë e më të nxehta, teksa temperaturat ekstreme, zjarret dhe mungesa e gjelbërimit po e kërcënojnë jetën urbane dhe industrinë e turizmit. Fluksi i turistëve e ndihmon ekonominë, por rëndon mbi infrastrukturën dhe banorët. Qyteti po kërkon zgjidhje të gjelbra dhe përshtatje klimatike për ta mbrojtur të ardhmen e vet dhe vizitorët

Ngjitja në majë të Akropolit të Athinës, vendlindjes së demokracisë, ka qenë gjithmonë një sukses për të guximshmit. Asnjëherë më shumë, ndoshta, sesa në verat e fundit kur qyteti ka kaluar valë të gjata dhe të rrezikshme të nxehtësisë.

Në dy vjetët e fundit, gjatë kulmit të sezonit turistik, nxehtësia e pamëshirshme i ka detyruar vazhdimisht autoritetet të mbyllin vendin më të vizituar të Greqisë gjatë orëve më të nxehta të ditës, për t’i mbrojtur vizitorët dhe stafin nga temperaturat që arrijnë mbi 40 gradë Celsius.

Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ka pak hije. Të qëndrosh midis shtyllave të mermerta të Partenonit, të punuara me mjeshtëri, teksa në to reflekton dielli mesdhetar, vizita mund të duket më shumë si sfidë e përballimit të të nxehtit, sesa përmbushje e një ëndrre fëmijërie - veçanërisht kur tymi nga zjarret jashtë kontrollit përhapet në horizont.

Dhe nuk është vetëm Akropoli.

Athina ka qenë gjithmonë përvëluese në verë, por kurrë në nivelet aktuale. Është kryeqyteti më i nxehtë në Evropën kontinentale, por ka përjetuar nivele rekorde në vitin 2024, situatë që po bëhet normaliteti i ri. Mesdheu në tërësi po ngrohet më shpejt se mesatarja globale.

Me udhëtimet në lulëzim në Greqi, zyrtarët thonë se Athina parashikohet të mirëpresë një rekord prej 10 milionë vizitorësh këtë vit. Ata që mbërrijnë në korrik dhe gusht do të përballen me temperatura edhe më ekstreme, sipas parashikimit të shërbimit kombëtar të motit. 

Situata ka ngritur pyetje bazike për Greqinë dhe marrëdhënien e saj me vizitorët, fuqia shpenzuese e të cilëve e ka ndihmuar vendin të dalë nga kriza gjatë periudhave të trazuara financiare. Rritja e turizmit do të thotë presion në rritje mbi burimet e pakta të ujit dhe infrastrukturën. 

Një artikull i fundit në median greke ka ngjallur debat të gjerë, duke vënë në pikëpyetje rrugën që e ka ndjekur vendi në lidhje me turizmin. Sipas artikullit, përpjekja e Greqisë për të tërhequr gjithnjë e më shumë turistë, pa marrë parasysh pasojat, nuk ka më kuptim. Për më tepër, paralajmëron se grekët rrezikojnë ta humbasin atë që u takon me të drejtë: vendin e tyre.

“Për ta thënë troç, brezave të ardhshëm nuk po u lëmë vetëm një mal me borxhe, por edhe një Greqi pa verë,” shkruhet në artikull. Në një vend që njihet për klimën e ngrohtë dhe sezonin e verës, ky paralajmërim ka rënë si një kambanë alarmi.

Temperaturat e larta të verës dhe rritja e pandalshme e numrit të turistëve po e vendosin Greqinë përballë një krize serioze. Frika për muajt që vijnë është e madhe, ndërsa temperaturat pritet të rriten ndjeshëm, duke e bërë jetën më të vështirë për banorët dhe vizitorët.

Megjithatë, përtej frikës ka edhe shpresë. Ka një vetëdije gjithnjë e më të madhe se vendi duhet të përshtatet, përndryshe pasojat mund të jenë katastrofike.

Për kryetarin e Bashkisë së Athinës, Haris Doukas, krijimi i qëndrueshmërisë përballë ndryshimeve klimatike dhe turizmit masiv është një çështje mbijetese. “T’i përballosh temperaturat e larta dhe rritjen e numrit të turistëve gjatë verës, është sot një nga detyrat më të rëndësishme”, deklaroi ai.

Në këtë periudhë ndryshimesh dhe sfidash të mëdha, Greqia ndodhet në një udhëkryq: të vazhdojë si më parë, apo të ndërmarrë hapa të guximshëm për ta mbrojtur mjedisin dhe jetën e qytetarëve të saj.

Koha për vendime të mençura ka ardhur.

Një absorbues urban nxehtësie

Në afat të shkurtër, kjo do të thotë vendosje e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për valët e të nxehtit dhe monitorim në kohë reale të të dhënave për temperaturën, si dhe burimet e ujit, qendra freskimi me kondicionerë ajri dhe parqe të vogla me hije, të cilat janë në dispozicion për të ofruar lehtësim. Shërbimet e emergjencës janë në gjendje gatishmërie, përfshirë edhe në zonat përreth Akropolit, për të ndihmuar vizitorët që ndihen keq nga i nxehti.

“Turistët shpesh e nënvlerësojnë të nxehtin, sidomos ata që vijnë nga vende me klimë më të ftohtë,” thotë Iris Plaitakis, një guidë turistike që viziton rregullisht Akropolin. “Ata nuk mendojnë të veshin kapele apo të marrin mjaftueshëm ujë me vete. Atje lart je shumë më i ekspozuar ndaj diellit dhe të nxehtit, për shkak të lartësisë më të madhe dhe mungesës së pemëve apo hijes”.

I nxehti ekstrem është tepër i rrezikshëm. “Valët e të nxehtit janë përgjegjëse për më shumë se 80% të vdekjeve të shkaktuara nga ngjarje të motit ekstrem në Evropë”, thotë Ine Vandecasteele, eksperte në Agjencinë Evropiane për Mjedisin.

Në plan afatgjatë, Athina përballet me sfidën e rindërtimit të një qyteti që është shndërruar në një grumbull betoni, që e thith nxehtësinë dhe ka shumë pak hapësira të gjelbra — është një nga qytetet më pak të gjelbra në Evropë dhe i dyti më i dendur pas Parisit. Situatën e bën edhe më të ndërlikuar fakti se popullsia në Greqi, dhe Athinë veçanërisht, është një prej popullsive më të moshuara në Evropë, grup i cili është veçanërisht i rrezikuar nga temperaturat ekstreme.

Në vitin 2021, Athina u bë qyteti i parë në Evropë që emëroi një “zyrtar të posaçëm për nxehtësinë”, me qëllim të promovimit dhe koordinimit të strategjisë për përshtatjen dhe krijimin e qëndrueshmërisë ndaj të nxehtit. Qyteti nisi të përqendrohej në zgjidhje të bazuara në natyrë për të ulur efektin e “ishullit të nxehtësisë”, fenomen ku qytetet bëhen shumë më të nxehta se zonat përreth me natyrë.

“Brenda pak më shumë se një viti, kemi mbjellë 7.000 pemë, gjë që është e vështirë në një qytet kaq të dendur me ndërtesa. Synojmë ta çojmë këtë numër në 28.000 pemë brenda katër vjetëve. Po krijojmë, gjithashtu, korridore të gjelbra”, thotë Haris Doukas, kryetari i Bashkisë së Athinës. “Athina po e rimendon infrastrukturën urbane, po ridizajnon rrugët dhe po zgjedh materiale që thithin më pak nxehtësi”.

Ndër iniciativat për ndërtimin e qëndrueshmërisë është edhe krijimi i hartave të detajuara për valët e të nxehtit, të cilat ndihmojnë në ndërhyrje të synuara në zonat më të prekura. Një nga projektet më të veçanta është krijimi i një mikropylli — i pari i këtij lloji në Greqi — në lagjen “Kypseli”, e cila është lagjja më e dendur në Evropë.

“Qëllimi është që, përmes krijimit të mikroklimave të synuara, të ulim temperaturat e ndjeshme me 5 gradë Celsius brenda pesë vjetësh”, thotë Doukas.

Në lagjen e gjelbër të “Chalandrit”, një projekt tjetër që ka marrë shumë vëmendje është ringjallja e një akuadukti romak të shekullit të dytë, për t’i ujitur hapësirat e gjelbra dhe për ta freskuar lagjet përreth. “Akuadukti transporton ujë që përndryshe do të shkonte dëm”, thotë Christos Giovanopoulos, menaxher i projektit. “Kur tubacionet e reja të hyjnë në funksion këtë verë, do të kursejmë rreth 80.000 deri në 100.000 metra kub ujë çdo vit”.

“Koha të thyejmë pak beton”

E ndërtuar dendur dhe e mbuluar me grafit, Athina moderne ka pak ngjashmëri me vendndodhjen idilike, ku njerëzit zgjodhën të vendoseshin mijëvjeçarë më parë. Në atë kohë ajo ofronte afërsi me malet dhe detin, një klimë të butë, burime të gjelbra dhe të bollshme dhe lumenj që rrjedhin - të njëjtat rrugë ujore që u betonuan gjatë urbanizimit të shpejtë në vitet 1950 dhe 1960 për të ndërtuar autostrada.

Dhe një pjesë e atij betoni tani do të duhet të hiqet, thotë Juanjo Galan, një profesor i asociuar i planifikimit urban në Universitetin Teknik të Valencias në Spanjë, i cili e ka parë qytetin e tij të kalojë një revolucion të gjelbër, duke u emëruar Kryeqyteti i Gjelbër Evropian 2024 për arritjet e tij në tranzicionin e gjelbër. 

“Në Spanjë, ne themi se nuk mund të bësh një omëletë pa thyer disa vezë”, thotë Galan. “Ashtu si Valencia, Athina do të duhet të thyejë pak beton, të investojë në infrastrukturë të gjelbër. Do të duhet pak kohë, por mund të bëhet”.

Një projekt i madh, që është duke u zhvilluar tashmë, është rilidhja e Athinës me detin që përcakton kaq shumë jetën në pjesën tjetër të Greqisë.

Me mrekullitë e lashta magjepsëse dhe rrugicat piktoreske me aromë jasemini në qendrën e saj historike, është e lehtë për vizitorët të harrojnë se Athina është në të vërtetë shumë afër bregdetit grek dhe shumë gjireve e plazheve të bukura.

Pushime në Rivierë

Athinasit e kanë ditur gjithmonë këtë, shpesh duke dalë nga qyteti për t’u freskuar. Dhe tani qyteti i tyre po ndjek shembullin, duke u zgjeruar përgjatë bregdetit, duke ripërtërirë një zonë të quajtur së fundmi “Riviera e Athinës”. Duke u shtrirë në jug 50 kilometra nga porti kryesor i Pireut, vija bregdetare është shtëpia e plazheve të organizuara, restoranteve cilësore dhe hoteleve e vendpushimeve me pesë yje.

Është, gjithashtu, vendi ku po ndodh transformimi më i madh i gjelbër urban i vendit në Ellinikon, ish-aeroporti i çmontuar i Athinës. Zhvillimi do të përfshijë rrokaqiellin e parë të Greqisë - Kullën Riviera me 50 kate, e cila do të ketë apartamente luksoze me pamje nga deti.

Në zemër të projektit është Parku Metropolitan Ellinikon. I parashikuar të bëhet zona më e madhe e gjelbër në Athinë dhe një nga parqet më të mëdha bregdetare në botë, pritet të tërheqë një milion turistë çdo vit.

Roli i turistëve në të ardhmen e Athinës është një çështje e debatueshme.

Nga njëra anë, ata shihen si burim jetik për qytetin. Gjatë viteve 2010, kur Athina ishte në qendër të një krize të rëndë financiare dhe ekonomia greke humbi një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto, ishte turizmi që ndihmoi të ringrihej ekonomia.

Por, nga ana tjetër, banorët e Athinës ndihen gjithnjë e më shumë të përjashtuar, për shkak të rritjes së çmimeve dhe transformimit në një zonë të pasur, që në një pjesë vjen edhe nga turizmi.
Shumë janë të shqetësuar edhe për ndikimin që ka kjo industri në një qytet, që po përballet me temperatura gjithnjë e më ekstreme.

Çmimet e pasurive të paluajtshme përgjatë bregdetit kanë arritur kulmin, me shumë prona të shkëlqyera në Athinë, që tani janë në duart e investitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë dhe të tjera të transformuara në hotele, që tërheqin më shumë vizitorë. Të njëjtat hotele po instalojnë kondicionerë ajri dhe pishina për t’i mbajtur mysafirët e tyre të freskët në një qytet me furnizime tashmë të kufizuara me energji dhe ujë.

Zjarre e frikë

Shumë athinas janë të shqetësuar për verën që po afron. Raportet zyrtare për uljen e niveleve të ujit në rezervuarë janë bërë pjesë e përditshme e lajmeve. Situata përkeqësohet edhe më shumë nga zjarret e mëdha, që kanë shkatërruar 40% të sipërfaqeve pyjore përreth qytetit, në më pak se një dekadë. Këto zjarre përhapen lehtësisht, për shkak të erërave të forta, si ato që ndodhin në Los Anxhelos, dhe përkeqësohen nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.

Ndërkohë, meqenëse turizmi vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë, Greqia duhet ta zhvillojë këtë industri me kujdes, pa u “djegur” prej saj. Edhe pse Athina dhe vendi përballen me sfida, pritet që turistët të vazhdojnë të vijnë. Në vitin 2024, vendin e vizituan plot 36 milionë turistë – mbi trefishi i popullsisë së Greqisë. Sipas analistëve të Fitch Solutions, ky numër mund të arrijë në 40 milionë deri në vitin 2030.

“Njerëzit vijnë nga e gjithë bota për të kuptuar dhe përjetuar djepin e qytetërimit perëndimor, për të parë ku ecnin Aristoteli dhe Platoni, ku u mbajtën Lojërat e para Olimpike moderne”, thotë Plaitakis, një udhërrëfyes arkeologjik. “Kjo nuk mund të ribëhet diku tjetër. Dhe gjithmonë do të tërheqë vizitorë në Athinë.”

Ashtu si shumë destinacione të mbingarkuara nga turizmi, Athina po përpiqet ta shpërndajë fluksin e vizitorëve edhe jashtë sezonit të verës. Pranvera dhe vjeshta me temperatura të buta, janë ideale për t’i eksploruar monumentet historike, artin modern dhe kulturën e gjallë e të qetë të qytetit. Madje edhe muajt e ftohtë po bëhen më të ngrohtë, duke e kthyer Athinën në një destinacion gjithnjë e më tërheqës dimëror, sidomos për evropianët veriorë që kërkojnë sallatë greke, musaka dhe darka me peshk të freskët e uzo.

Përpjekjet e Athinës për t’u përshtatur me të nxehtin tashmë duken. Në qendrën historike, turistët mësojnë të pinë kafenë e ftohtë si vendasit – ngadalë dhe me freski, për t’u përballuar me vapën e mesditës. Në pikat turistike, vajza të reja, që flasin anglishte të rrjedhshme, u rekomandojnë vizitorëve t’i blejnë biletat për Akropolin paraprakisht, për të shmangur radhët e gjata dhe nxehtësinë e fortë.
Nëse Akropoli mbyllet përkohësisht, për shkak të vapës ekstreme, Plaitakis sugjeron tri alternativat më të mira e më freskuese: Muzeun e Akropolit dhe Muzeun Arkeologjik Kombëtar.

Për ata që duan pamje nga bregdeti, ajo këshillon: “Filloni nga Qendra Kulturore e Fondacionit Stavros Niarchos, projektuar nga arkitekti i njohur Renzo Piano, dhe ndaloni për një not dhe drekë në një taverne greke në ndonjërën nga plazhet që çojnë drejt Tempullit madhështor të Poseidonit, ideal për perëndimin e diellit.”

Kur nata bie dhe temperaturat ulen, gjallëria në qytetet rritet. Athina ofron kinema në natyrë, koncerte live dhe jetë nate të gjallë. Grekët janë të njohur për darkat e vona dhe për mënyrën si mbushin baret, plazhet dhe stolat, duke pritur që qyteti të freskohet. Një lloj përshtatjeje natyrore me klimën. Një mënyrë mesdhetare jetese që duhet të përforcohet në kohën e emergjencës klimatike.