Botë

“Ai budallai Putini do që t’i marrë të gjitha”

ukra

Rusia po përdor taktika “kamikaze” për të avancuar me hapa të ngadaltë në Ukrainë, sidomos në lindje dhe juglindje të vendit. Ajo dërgon ushtarë me motoçikleta apo këmbësori në misione vetëvrasëse për të zbuluar pozicionet ukrainase, teksa bombardimet me dronë dhe raketa po shkatërrojnë fshatra të tëra. Ndërkohë, popullsia civile po largohet në shkallë të madhe nga zonat e luftës, duke e përshkruar këtë agresion si rezultat të “ambicies perandorake” të presidentit rus, Vladimir Putin. Pavarësisht vështirësive, ushtarët ukrainas vazhdojnë të rezistojnë, ndonëse me pak pajisje dhe ndihmë të kufizuar

(The Guardian) - Ishte viti i kaluar kur Valentyn Velykyi pati vënë re se lufta e Rusisë me Ukrainën po afrohej gjithnjë e më afër fshatit të tij. Në fillim të verës, lufta arriti deri te dera e tij. “Dëgjoj shpërthimet ditë e natë. Kohët e fundit, raketat nisën të fluturonin mbi shtëpinë time. Dëgjohej një zhurmë e fortë dhe shihje gjurmë në qiell”, ka rikujtuar pensionisti 72-vjeçar.

Shtëpia e Velykyit ndodhet në rrugën Petrenko, në fshatin e vogël të Maliyivkas. Ky fshat ndodhet në kufirin administrativ mes provincave të Dnipropetrovskut dhe Donjetskut. Dikur trupat ruse ishin larg. Së fundmi, ato janë afruar, duke rrethuar qytetin e Pokrovskut, si dhe duke pushtuar pëllëmbë pas pëllëmbe.

Lufta më e madhe e Evropës që nga viti 1945 po vazhdon të zhvillohet me intensitet.

Shtrirja e saj është epike: betejat zhvillohen përgjatë vijës së frontit prej 965 kilometrash. Në muajt e fundit, Kremlini ka shtuar bombardimet mbi qytetet dhe fshatrat e Ukrainës. Çdo natë lëshohen qindra dronë dhe raketa balistike. Popullsia e lodhur është mësuar me ulërimat e sirenave të alarmit dhe zhurmën e rëndë të shpërthimeve.

Në muajin maj, luftimet përfshinë edhe Maliyivkën. Fshati u kthye në objektiv të ushtrisë ruse. Fillimisht u shkatërrua shtëpia pranë stacionit të vjetër të autobusit. Pastaj u bombardua gjithçka.

Rreth 300 banorët e fshatit u larguan, me përjashtim të Velykyit dhe fqinjit të tij po aq kokëfortë, Mykola. Për një kohë, vullnetarët u sillnin atyre ushqim dhe ujë. Por, kur situata u bë shumë më e rrezikshme, ata thjesht ndaluan së shkuari.

Javën e kaluar, Velykyi kishte vizituar shokun e tij, si zakonisht me çaj dhe ëmbëlsira, porse e zbuloi se Mykola ishte zhdukur. Në oborr ndodheshin pula të ngordhura.

“Thirra emrin e Mykolës, por ai kishte ikur. Mendova: ‘O Zot, a është e vërtetë që ushtria jonë po tërhiqet’”, ka shtuar ai. Ditën tjetër e kaloi i fshehur në një strehë të hapur nga ushtarët ukrainas, dhe vetëm në mbrëmje doli për të mbushur ujë nga pusi i Mykolës.

Ndërkohë që ai ishte larg, raketa ra mbi shtëpinë e tij.

“Dëgjova një BUM. Hambari im u zhduk. Nuk mbeti asgjë. Ndoshta ishte bombë e drejtuar ose diçka e ngjashme”, ka thënë ai. Në agim, Velykyi kishte vendosur të lironte kafshët dhe u nis në këmbë përmes arave. Prapa tij ishte shtëpia e shkatërruar; në të djathtë rruga me gropa; përpara fshati i madh Velykomykhailivka. Ai kishte ecur për gjashtë orë nën diellin përvëlues.

Për herë të parë, njësitë luftarake ruse janë afër marrjes së territorit në rajonin e Dnipropetrovskut. Në vitin 2022, Kremlini pati pretenduar se kishte “aneksuar” katër rajone ukrainase – Luhanskun, Donjetskun, Khersonin dhe Zaporizhzhian – megjithëse kishte nën kontroll të plotë vetëm Luhanskun.

Shumë besojnë se Dnipropetrovsku do t’i shtohet kësaj liste nëse trupat ruse arrijnë të depërtojnë në Maliyivka dhe zonat e tjera përreth.

Që nga rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në muajin janar, kanë nisur negociatat ndërmjet Washingtonit dhe Moskës për marrëveshje të mundshme të paqes.

Javën e kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte vendosur të riniste bisedimet e drejtpërdrejta me Kremlinin. Deri më tani, presidenti rus, Vladimir Putin, ka refuzuar të bëjë kompromis. Ai ka kërkuar largimin e Zelenskyt dhe çarmatosjen e Ukrainës, me qëllimin për ta riformësuar hartën gjeopolitike të Evropës, e cila ka në qendër një Rusi më të madhe.

“Ai budallai Putini do që t’i marrë të gjitha. Tokat tona më pjellore. Për këtë bëhet e gjithë kjo”, ka thënë Velykyi teksa hipte në furgonin e “Proliskas”, organizatë bamirëse ukrainase që shpëton e kujdeset për civilët.

Automjeti hyri në fshatin Velykomykhailivka, i udhëhequr e i përcjellë nga ushtarë brenda një furgoni të gjelbër me antena dhe pajisje elektronike në çati – të destinuara për t’i bllokuar dronët rusë.

Fshati ishte çuditërisht i zbrazët. Shkolla me shtylla druri dhe murali me një pëllumb ishin braktisur. Pronarët e lokalit dhe supermarketit në rrugën kryesore ishin larguar teksa bizneset ishin mbyllur përfundimisht.

Mollë të paprekura shtriheshin pranë rrugës, mes shtëpive të heshtura dhe kopshteve të kuzhinës që çuditërisht lulëzonin. Disa ndërtesa ishin goditur rëndë, por shumica ishin të paprekura. Siç dukej, armiku ishte duke ardhur.

“Vendi im ka të ardhme. Është vetëm çështje kohe”

“Vendi im ka të ardhme. Është vetëm çështje kohe”, ka thënë Serhii Andriyanov, teksa vullnetarët vendosnin në barelë gjyshen e tij 85-vjeçare, Halyna, për ta futur atë në ambulancë. “Ajo pësoi sulm në zemër para gjashtë muajsh”, ka shtuar ai. Nëna e tij, Svitlana, mbante pak gjëra: disa çanta plastike, dy kotele në një kuti kartoni dhe një enë me vezë. Pulat do të mbeteshin pas.

Karvani mori edhe dy pensionistë të tjerë. Policia kishte përdorur një automjet të blinduar për të sjellë Lidia Prysiazhenën nga fshati i bombarduar i Havrylivkas.

Si ishte situata atje? “Keq”, ishte përgjigjur ajo shkurtimisht. Një tjetër pensionist, Anatoliy Baraley, ka bërë të ditur se nuk dëshironte të largohej. “Vajza ime më lutet vazhdimisht të shkojë diku ku është më sigurt”.

Ushtarët ukrainas që kanë për detyrë të mbrojnë krahinën e Dnipropetrovskut e përshkruajnë vijën e frontit si “të qëndrueshme”, porse e kanë pranuar se situata është “dinamike”.

“Detyra jonë është t’i ndalim”, ka thënë kapiteni Viktor Danyshchuk.

Ai ka pranuar se brigada e tij – e 31-ta – kishte mungesa në dronë, municion dhe këmbësori. “E vetmja mundësi është të vazhdojmë luftën. Po mbrojmë tokën tonë”, ka vazhduar ai.

I pyetur për qasjen e Donald Trumpit kundrejt Ukrainës, Danyshchuk u shpreh se ajo “është e vështirë të kuptohet”.

Alek Budilov, oficer në kuadër të brigadës, ka shtuar se rusët i ekzagjerojnë arritjet në fushëbetejë për qëllime propagandistike, për të përhapur frikë dhe panik te popullata lokale.

Sipas tij, ata kanë pësuar humbje të mëdha njerëzore për të arritur “pamje të përkohshme suksesi”.

“Disa rusë idiotë ngritën një flamur pranë fshatit. Minuta më vonë ne i fshimë nga faqja e dheut”, ka vazhduar ai.

Duke folur nga një kamp malor, Budilov i ka cilësuar taktikat sulmuese të Moskës si “të pabesa”, që përfshijnë sakrifikimin e qindra ushtarëve për të marrë territor.

Fillimisht dërgohet tanku i rëndë, i mbuluar me kafaze metalike për të zmbrapsur dronët ukrainas. Më pastaj shoqërohet me mjete të tjera ushtarake: tanke, transportues të blinduar dhe kamionë me trupa sulmuese.

Grupi i dytë pason, i përbërë nga burra me motorë dhe mjete të lehta. Qëllimi i tyre është të zbulojnë pozicionet mbrojtëse ukrainase.

“Ata hyjnë me qëllim në zonën e zjarrit dhe neutralizohen pasi zbulojnë pikat tona të qitjes”, ka deklaruar Budilov. Në fund, dërgohen grupe të vogla këmbësorie në misione pa kthim, për të depërtuar në rripat pyjorë.

“Ata pastrojnë fushat me mina me trupat e tyre”, ka shtuar ai.

Sipas vlerësimeve perëndimore, Rusia ka mbi një milion viktima – të vrarë dhe të plagosur – numër shumë më i madh krahasuar me humbjet sovjetike në luftën e Afganistanit.

“Është ide plotësisht ruse: ti je pjesë e diçkaje më të madhe. Sakrifikon jetën për të bërë diçka për historinë. Është virus mendor”, ka thënë Budilov, tek ka theksuar se rusët dhe ukrainasit janë “shumë ndryshe”.

Shtimi i sulmeve kamikaze dhe bombardimeve me dronë

Përveç sulmeve kamikaze, Rusia ka shtuar bombardimet në rajonin e Dnipropetrovskut.

Në orën 09:40, të shtunën, një dron shpërtheu pranë stacionit të policisë dhe klinikës në fshatin Oleksandrivka. Shpërthimi la të vrarë një grua 70-vjeçare, Valentyna Podolna, që po kalonte me motor. Kalimtari tjetër, Mykola Horoshko, gjithashtu humbi jetën, pranë një memoriali të Luftës së Dytë Botërore.

Pamja pas shpërthimit ishte skëterrë. Sandalet e Podolnës ndodheshin në trotuar, pranë një bordure të njollosur me gjak dhe një batanije të bardhë që mbulonte trupin e saj. Makinat e parkuara u dogjën, duke u kthyer në grumbuj metali të përvëluar.

“Kjo ndodhi për shkak të ambicies imperialiste”, është shprehur Volodymyr Shevchenko, shofer në klinikën mjekësore.

Ai ka treguar për dhomat e dëmtuara nga shpërthimi, të mbuluara me copëza xhami, teksa bomba kishte çarë ambulancën e tij.

“Putini është person që vuan nga skizofrenia. Në publik sillet normalisht, por në të vërtetë është i çmendur. Dëshira e vetme e tij është t’ia imponojë botës qëllimet e tij”, ka argumentuar ai.

Valentyn Velykyi u dërgua në një qendër regjistrimi në qytetin Pavlohrad, i cili gjithashtu u godit javën e kaluar nga dronë dhe raketa. Dhjetëra të zhvendosur, shumica të moshuar, po qëndronin aty. Disa flinin në krevate metalike të vendosura në skenën dhe sallën e një ish-teatri.

Oleksandr Holovko, drejtuesi i evakuimeve në fshatin Velykomykhailivka, ka deklaruar se banorët filluan të largoheshin që në muajin shkurt, dhe më 1 qershor u dha urdhër evakuimi i detyrueshëm për familjet me fëmijë. Ai dhe shefi i policisë ishin përpjekur disa herë ta bindnin Valentyn Velykyi – banorin e fundit të fshatit – të largohej, pasi luftimet u përshkallëzuan.

“I gjithë vendi është i shkatërruar. Çdo shtëpi është plotësisht ose pjesërisht e rrënuar”, ka thënë Holovko, tek ka shtuar se e njëjta situatë ishte edhe në fshatrat fqinj.

Vitalii Hrychkoiedov nga organizata “Proliska” ka theksuar se Velykyi nuk do të kishte mbijetuar po të qëndronte më gjatë.

Kur punonjësit e ndihmës e pyetën nëse kishte pasaportë ukrainase, ai e tundi kokën, duke iu thënë se ka ardhur vetëm me rrobat që kishte veshur. Para luftës, fshati i tij ishte “i shkëlqyer”.

“Punoja me një kombajnë. Kishim dy rrugë, një dyqan dhe një autobus shkolle. Të gjithë ishin miqtë e mi”, ka thënë ai. Këtë pranverë kishte mbjellë patate dhe qepë në kopshtin e tij.

“Gjithçka është ende atje. Është për të ardhur keq”, është shprehur Velykyi.