Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Agjencia Evropiane e Barnave autorizon Modernan për fëmijët e moshave 12-17 vjeç

Agjencia Evropiane e Barnave ka rekomanduar të premten autorizimin e vaksinës Moderna kundër COVID-19, për përdorim tek fëmijët e moshave 12-17 vjeç.

Kjo është hera e parë që kjo vaksinë është autorizuar për njerëzit nën moshën 18-vjeç në Evropë.

Rregullatori Evropian i Barnave ka deklaruar se hulumtimet e bëra në më shumë se 3,700 fëmijë të moshave nga 12 në 17 vjeç, kanë treguar se vaksina Moderna prodhon mjaftueshëm antitrupa.

Deri më tani, vaksina e prodhuar nga Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech ka qenë opsioni i vetëm për fëmijët e moshës 12-vjeçare në Amerikën Veriore dhe në Evropë.

Administrata amerikane e ushqimit dhe barnave është po ashtu duke e shqyrtuar lejimin e përdorimit të Modernas për grupmoshën e njëjtë.

Deri më tani, në të gjithë botën janë administruar qindra miliona doza të vaksinës Moderna tek të rriturit, derisa kompania që e prodhon atë ka deklaruar se dy doza krijojnë mbrojtje e mjaftueshme edhe për adoleshentët.