Një adoleshent australian është akuzuar për vepër penale, pasi policia ia sekuestroi një armë zjarri plotësisht funksionale që ai dyshohet se e kishte bërë në shtëpi me një printer 3D.
Policia në Australinë Perëndimore gjeti armën dhe një numër armësh të tjera zjarri, pasi ekzekutoi një urdhër kontrolli në shtëpinë e 18-vjeçarit në fillim të qershorit, shkruan CNN-i të martën.
"Kjo armë zjarri edhe pse i ngjan një lodre, ka aftësinë që të shkaktojë dëme serioze brenda komunitetit tonë. Është thellësisht shqetësuese që ky njeri ishte në gjendje të prodhonte këtë armë zjarri në shtëpi me një printer 3D dhe materiale të disponueshme", u ka thënë gazetarëve Bler Smith, zyrtar policor.
Arma plastike është në gjendje të gjuajë 15 fishekë me një tërheqje të këmbëzës, sipas degës së CNN, Nine News. Policia pretendon se u deshën dy ditë për t'u bërë arma, me materiale që kushtonin më pak se 29 dollarë amerikanë, raportoi Nine.
Vitin e kaluar, qeveria e Australisë Perëndimore propozoi ndryshimin e ligjeve të armëve për ta bërë të paligjshëm prodhimin e armëve plastike 3D. Sipas propozimit, një dënim maksimal 10-vjeçar do të zbatohej për këdo që kapet me plane ose udhëzime se si t'i realizojë ato.
Edhe
Policia skoceze sekuestroi armë të prodhuara me printerë 3D
Në Australi, civilëve u ndalohet posedimi i armëve plotësisht automatike derisa zotërimi i armëve të tjera është i rregulluar dhe i kufizuar për personat mbi 18 vjeç, me një licencë të vlefshme.
Ligjet kanë hyrë në fuqi në vitin 1996 pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj turistëve në Port Arthur, një ish-burg kolonial në Tasmania, duke vrarë 35 njerëz.
Masakra tmerroi publikun australian dhe qeveria forcoi shpejt rregullat për posedimin e armëve të zjarrit. U nis një amnisti e armëve, e cila inkurajoi njerëzit t’i dorëzonin armët në stacionet e policisë lokale në mënyrë anonime dhe pa ndëshkim pse i kishin mbajtur. E kombinuar me një skemë të kthimit të armëve, masa nxori jashtë qarkullimit rreth 640.000 armë.
Adoleshenti në Australinë Perëndimore është akuzuar për vepra penale duke përfshirë prodhimin e palicensuar të armëve të zjarrit dhe municioneve, si dhe mbajtjen e një arme të ndaluar.
Edhe
Amerikanes i del arma 24 karatë gjatë kontrollit në aeroport
Ai do të dalë në gjykatë javën e ardhshme.
Shkalla e vrasjeve me armë në Australi është 33 herë më e ulët sesa ajo në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave zyrtare australiane.