Teksa bota shënon 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kërkimi i vazhdueshëm për eshtrat e ushtarëve është kujtesë se trashëgimia e konfliktit nuk është vetëm historike ose politike, por edhe fizike dhe e papërfunduar. Një organizatë që merret me këtë çështje, nuk e sheh punën e saj si nderim për të rënët, por identifikimin e tyre dhe sigurimin që ata të mos zhduken në tokë pa një emër mbi varr
Në një pyll pranë Berlinit eshtrat e 107 ushtarëve të rënë të Wehrmachtit u varrosën me ceremoni javën e kaluar. Nxënësit e shkollave të mesme vendosën lule të bardha në arkivolet e zeza. Ushtarët gjermanë kryen ceremoninë në një varr të madh, të sapohapur teksa në sfond dëgjohej një melodi solemne nga një bend ushtarak.
Qindra fshatarë dhe të afërm të të rënëve e ndoqën ceremoninë në heshtje e me lot në sy. E ushtarët që vdiqën në një nga betejat e fundit të mëdha të Luftës së Dytë Botërore duke luftuar për ushtrinë e Adolf Hitlerit më në fund gjetën vendin e fundit të prehjes.
Ceremonitë e përkujtimit janë pjesë e një përpjekjeje të gjatë, të ndërlikuar - dhe nganjëherë të diskutueshme - për të sjellë të vdekurit gjermanë në prehje, 80 vjet pas një lufte të cilën e pati nisur Gjermania naziste.
Por ende nuk ka ardhur fundi - mbetet shumë punë për të identifikuar të vdekurit dhe për të njoftuar çdo anëtar të mbijetuar të familjes.
Anembanë Evropës, në pyje, fusha dhe nën toka bujqësore, eshtrat e ushtarëve gjermanë ende po gjenden, zhvarrosen dhe rivarrosen nga ekipet e një organizate jofitimprurëse të quajtur “Volksbund Deutsche Kriegsgräberfürsorge”, ose Komisioni Gjerman i Varreve të Luftës, i cili e ka bërë këtë punë për dekada të tëra.
Kërkimi për të vdekurit
Teksa bota shënon 80-vjetorin e përfundimit të luftës, kërkimi i vazhdueshëm për eshtrat e ushtarëve është kujtesë se trashëgimia e konfliktit nuk është vetëm historike ose politike, por edhe fizike dhe e papërfunduar. Procesi ende po zhvillohet në të gjithë Evropën.
“Është shumë, shumë e rëndësishme që kjo të vazhdojë të bëhet”, ka thënë Martina Seiger, 57 vjeçe, eshtrat e gjyshit të së cilës u gjetën dhe u varrosën disa vjet më parë.
Seiger dhe familja e saj marrin pjesë në varrimet e ushtarëve të tjerë që vdiqën në betejën e Halbes në vitin 1945. Ata ndihen se kështu pak a shumë i afrohen edhe funeralit të gjyshit të saj, Werner Novak.
Novak ishte 21 vjeç kur u vra. Ai veçse ishte plagosur dhe po kthehej në Berlin nga fronti i luftës. Po planifikonte të martohej me të fejuarën e tij shtatzënë dhe shpresonte për një të ardhme më paqësore, ka thënë Seiger.
Në vend të kësaj, kur Ushtria e Kuqe e Sovjetikëve po i afrohej Berlinit në javët e fundit të luftës, ai u kthye në betejë.
Të humbur në kaosin e luftës
Procesi i gjetjes dhe identifikimit të eshtrave është i ngadaltë - shumë prej të zhdukurve u varrosën me nxitim gjatë tërheqjes ose luftimeve, pa shenja ose të dhëna. Disa vende mbahen mend vetëm në mënyrë të paqartë, të transmetuara nëpërmjet fjalëve.
Të tjerat varreza janë të paarritshme, nën infrastrukturën moderne ose vijën e frontit në Ukrainën lindore.
Megjithatë, “Volksbund” vazhdon të punojë, duke hulumtuar nëpër fushat e vjetra të betejës së Evropës, kontrolluar hartat e vjetra ushtarake dhe listat e ushtarëve të zhdukur. Puna vazhdon edhe në Ukrainën perëndimore, larg luftimeve të ashpra në lindje të vendit.
Kur është e mundur, organizata i sjell eshtrat në varreza të mirëmbajtura posaçërisht për ushtarët gjermanë që vdiqën jashtë shtetit. Organizata ka njoftuar se qëllimi i saj është humanist: t'i ofrojë varrim dinjitoz çdo personi që vdiq në luftë, pavarësisht rolit që ka luajtur. Kjo përfshin ushtarët që shërbyen në një ushtri përgjegjëse për disa nga mizoritë më të këqija të shekullit të 20-të.
“Volksbund” nuk e përcakton misionin e saj si nderim të të rënëve, por identifikim të tyre dhe sigurim që ata të mos lihen të zhduken në tokë, pa një emër.
Një baba i zhdukur
Wolfgang Bartsch, 83 vjeç, qëndronte në një kodër të vogël pranë varreve të hapura në kohën kur eshtrat e ushtarëve u varrosën.
Bartsch nuk ka mundur kurrë ta varroste babanë e tij, i cili vdiq në janar të vitit 1942 duke luftuar në frontin e Rusisë. Ai ishte vetëm javësh atë kohë. Disa ditë më parë, nëna e tij u vra në një bombardim të Aleatëve në Berlin. U rrit nga gjyshja e tij, por gjithmonë ka ndier dhimbjen e rritjes pa prindër.
“Babai im është varrosur diku në një varr pa emër në Oryol në Rusi”, ka thënë ai. “‘Volksbund’ nuk do të jetë kurrë në gjendje t’i gjejë eshtrat e tij, sepse e di që shumë vendbanime u ndërtuan mbi ato varre”.
Sipas vlerësimit të “Volksbundit”, më shumë se dy milionë ushtarë gjermanë mbeten të pagjetur. Gjatë 30 vjetëve të fundit, qëkur fituan qasje në territoret e ish-Bllokut Lindor, “Volksbund” ka gjetur dhe rivarrosur eshtrat e një milion njerëzve.
Punë që mund të jetë kontroverse
Në disa pjesë të Evropës, pakënaqësia vazhdon ndaj çdo gjëje që perceptohet si rehabilitim i së kaluarës ushtarake naziste. Por shumë njerëz pranojnë se përpjekjet për të gjetur të vdekurit mund të ndihmojnë në mbylljen e këtij kapitulli të historisë.
“Nuk dua të përjashtoj mundësinë që të kemi një numër të madh kriminelësh lufte në varret tona të luftës. Gjithashtu e dimë se disa prej tyre madje është vërtetuar se kanë kryer krimet më të rënda të luftës”, ka thënë Dirk Backen, sekretari i përgjithshëm i “Volksbundit”.
“Pas çdo të vdekuri është një fat njerëzor dhe ky është fokusi ynë kryesor”, ka thënë ai. “Kur qëndroni para varrit të një ushtari të ri 18-vjeçar të Wehrmachtit, natyrshëm pyetni veten nëse ai mund të ketë pasur plane të tjera në jetë dhe një ëndërr tjetër përveçse të jepte jetën e tij në moshën 18 vjeç për një kauzë që ishte gjithashtu kriminale”.
Para ceremonisë së varrimit në Halbe, një ceremoni e zhvarrimit u organizua në qytetin Ostroleka të Polonisë. Aty punonjësit e “Volksbundit” dhe arkeologët vendës polakë gërmuan për mbetjet e ushtarëve gjermanë në një varrezë në të cilën shmangën prekjen e varrezave me emra.
E eshtrat e secilit person u mblodhën nëpër qese të zeza. Autoritetet tani po shpresojnë në identifikim të eshtrave. Kurse grupi planifikon t’i rivarrosë më vonë gjatë vitit në një ceremoni ushtarake në Poloni.
E meritojnë varrimin
Lukasz Karol, një arkeolog polak që merret me zhvarrosje, ka thënë se ka pasur shqetësime për çështje etike, teksa po shqyrton punën për nxjerrjen e ushtarëve të një ushtrie që e pushtoi Poloninë dhe vrau rreth 6 milionë qytetarë polakë gjatë luftës.
Por ai ka thënë se puna ka rëndësi morale dhe zbulon informata të rëndësishme shkencore.
“Edhe këta janë njerëz. Edhe këta meritojnë të varrosen”, ka thënë Karoli.
Për dallim nga vitet menjëherë pas luftës, pak familje sot po kërkojnë për më të dashurit e tyre. Në shumë raste, distanca emocionale dhe mes gjeneratave është shumë e madhe; ka raste kur nuk ka kush të kujtojë të zhdukurit, apo nevoja për mbyllje të rasteve është zbehur me kalimin e kohës.
Për Bartschin, 83-vjeçarin që mori pjesë në ceremoninë e varrimit në Halbe, nuk ka mbyllje të çështjes.
“Ende nuk mund të gjej paqe kur mendoj se sa shumë njerëz janë të varrosur këtu në tokë, pa funeral siç duhet. Zemra ime do të çlirohej vetëm nëse do të mund ta varrosja babanë tim po ashtu, por kjo s’do të ndodhë”, ka thënë ai.