Kandidati republikan Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë 100 për qind në NATO nëse fiton zgjedhje presidenciale, për sa kohë që vendet evropiane “luajnë fer”.
Në një intervistë me mikun dhe aleatin e tij Nigel Farage në kanalin televiziv britanik GBN, Trumpi ripohoi angazhimin ndaj aleancës transatlantike - por paralajmëroi vendet evropiane që të mos “përfitojnë” nga mbështetja amerikane.
Këto komente, sipas Politico, mund të lehtësojnë shqetësimet midis liderëve perëndimorë se Trumpi mund ta tërheqë zyrtarisht SHBA-në nga NATO nëse fiton mandatin e dytë si president i SHBA-së këtë vit.
Trump ka qenë shumë kritik ndaj NATO-s për vite me radhë dhe muajin e kaluar zbuloi se, ndërsa ishte president, i tha një lideri evropian se SHBA-ja nuk do ta mbronte nëse Rusia do ta sulmonte pasi vendi evropian nuk kishte ndarë 2 për qind të bruto produktit të brendshëm për mbrojtje. Trumpi i kishte quajtur “delikuente” anëtarët e NATO-s që nuk kanë ndarë 2 për qind të bruto produktit të brendshëm për mbrojtje.
Por në një intervistë me Faragen – ish-udhëheqësin e Brexit – Trumpi e zbuti retorikën, duke theksuar se Evropa duhet të paguajë “pjesën e saj” të kostove të mbrojtjes.
“NATO-ja duhet të jetë e drejtë me Shtetet e Bashkuara, sepse nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë atje, NATO fjalë për fjalë nuk ekziston”, ka thënë Trump.
I pyetur drejtpërdrejt nëse SHBA-ja nën presidencën e tij do t'u vijë në ndihmë vendeve të sulmuara të NATO-s, Trump ka thënë se do ta bënte.
“Po. Por ju e dini, Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë pjesën e tyre, jo pjesën e të gjithëve… [NATO] është më e rëndësishme për [vendet evropiane], ata do ta përdorin atë avantazh”, ka thënë Trumpi.
“Pra, nëse ata fillojnë të luajnë fer, Amerika është atje”, e pyet Farage.
"Po. 100 për qind”, u shpreh Trump.
Ndërsa ishte president, Trump vazhdimisht kërcënoi se do të largohej nga aleanca ushtarake, por s’bëri ndonjë hap.