Botë

Netanyahu prezanton planin e parë zyrtar se çfarë mendon të bëjë me Gazën pas luftës

Benjamin Netanyahu

Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka prezantuar një plan për Gazën, propozimi i tij i parë zyrtar për atë se çfarë do të ndodhë pas luftës në Gaza, raportoi Reuters.

Sipas dokumentit, Izraeli do të mbajë kontrollin e sigurisë mbi të gjithë tokën në perëndim nga Jordania, përfshirë Bregun Perëndimor dhe Gazën – territore ku palestinezët duan të krijojnë një shtet të pavarur.

Në synimet e listuara, Netanyahu refuzon “njohjen e njëanshme” të shtetit palestinez. Ai thotë se një marrëveshje me palestinezët do të arrihet vetëm përmes negociatave mes dy palëve.

Në Gaza, Netanyahu përmend çmilitarizimin dhe deradikalizimin si synime që duhen arritur për një periudhë afatmesme. Sipas Reutersit, ai nuk elaboron se kur do të niste ajo periudhë apo saktësisht sa do të zgjaste. Por, ai e kushtëzon rindërtimin e Rripit të Gazës, pjesa më e madhe e së cilit është shkatërruar nga ofensiva e Izraelit, me çmilitarizimin e tij të plotë.

Netanyahu propozon që Izraeli të ketë prezencë në kufirin Gaza-Egjipt në jug të enklavës dhe të bashkëpunojë me Egjiptin dhe SHBA-në në atë zonë për të parandaluar përpjekjet për kontrabandë, përfshirë kalimin në Rafah.

Për të zëvendësuar udhëheqjen e Hamasit në Gaza ndërkohë që ruhet rendi publik, Netanyahu ka sugjeruar të punohet me përfaqësuesit lokalë “të cilët nuk janë të lidhur me shtetet apo grupet terroriste dhe nuk financohen nga to”.

Ai bën thirrje që të mbyllet Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRËA) dhe zëvendësimi i saj me grupe të tjera të ndihmës.

Dokumenti i është shpërndarë kabinetit të sigurisë për të filluar diskutimin mbi të.

Zëdhënësi i presidentit palestinez, Nabil Abu Rudeineh, ka thënë se propozimi i Netanyahut do të dështojë, ashtu si çdo plan i Izraelit për të ndryshuar realitetin gjeografik dhe demografik në Gaza.

“Nëse bota është e interesuar sinqerisht në siguri dhe stabilitet në rajon, duhet ta ndalë okupimin e tokës palestineze nga Izraeli dhe ta njohë shtetin e pavarur palestinez me Jerusalemin si kryeqytet të tij”, ka thënë ai.