Botë

Presidenti turk e quan Netanyahun “kasap i Gazës”

erdogan

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka vazhduar përplasjen me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Erdogani e ka quajtur Netanyahun “kasap të Gazës”. Ndërkaq, të mërkurën kanë vazhduar bisedimet për zgjatjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka akuzuar të mërkurën kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për kryerjen e “një prej mizorive më të këqija” të shekullit dhe ka thënë se ai do të hynte në histori si “kasapi i Gazës”.

Erdogan, kritik i hapur ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza, ka përsëritur se qeveria e tij do të sigurohet që Izraeli të mbahet përgjegjës para gjykatave ndërkombëtare.

“Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ka kryer një nga mizoritë më të këqija të shekullit të kaluar në Gaza, tashmë ka hyrë në histori si kasapi i Gazës”, ka thënë Erdogani.

Në fjalimin e tij para ligjvënësve të partisë së tij në pushtet, Erdogan ka pohuar gjithashtu se veprimet e Izraelit po nxisnin antisemitizmin, teksa udhëheqësit perëndimorë po ushqenin urrejtje ndaj islamit.

Ndërkaq, bisedimet për zgjatje të mundshme të armëpushimit të përkohshëm mes Izraelit dhe Hamasit janë duke vazhduar në Katar. Izraeli ka bërë të ditur se ka pranuar një listë të pengjeve të mbajtura në Gazë, të cilët mund të lirohen më vonë të mërkurën, në ditën e gjashtë të armëpushimit aktual.

Të martën, 12 pengje të tjera u liruan nga Hamasi, ndërsa Izraeli liroi 30 të burgosur të tjerë palestinezë.

Të burgosurit palestinezë kanë pretenduar se janë keqtrajtuar gjatë kohës që ndodheshin në burgjet izraelite. Një djalë 14-vjeçar ka thënë se ishte dëshmitar i rrahjeve, ndërsa Izraeli nuk ka komentuar fare mbi këtë çështje.