Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Skulpturat e Partenonit, shkak i përplasjes diplomatike mes Britanisë së Madhe dhe Greqisë

Një konflikt diplomatik ka shpërthyer të hënën mbrëma mes Greqisë dhe Britanisë së Madhe, pasi Britania e Madhe ka anuluar një takim të planifikuar të kryeministrave të dy vendeve, duke bërë që kryeministri grek të akuzonte homologun e tij britanik se po përpiqej të shmangte diskutimin mbi kthimin e skulpturave të Tempullit të Partenonit.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pritej të takohej me kryeministrin britanik Rishi Sunak, por takimi i tyre është anuluar në momentin e fundit nga pala britanike. Në këtë takim pritej paraqitja e kërkesës së Greqisë, për kthimin e skulpturave antike nga Muzeu Britanik. Britania e Madhe e ka konfirmuar se dy udhëheqësit nuk do të takohen dhe se Mitsotakis do të zhvillojë bisedime me zëvendëskryeministrin, Oliver Dowden.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Athina ka kërkuar prej kohësh kthimin e skulpturave që u morën nga Greqia nga diplomati britanik Lord Elgin në fillim të shekullit të 19-të. Skulpturat, të cilat i përkisnin tempullit 2500-vjeçar të Partenonit në Akropol, janë ekspozuar në Muzeun Britanik në Londër prej më shumë se dy shekujsh.

Muzeu Britanik e ka të ndaluar me ligj që t’i kthejë skulpturat në Greqi, por drejtuesit e tij kanë zhvilluar bisedime me zyrtarët grekë për një kompromis, siç është një hua afatgjatë.

Por zëdhënësi i Sunakut ka mbajtur një qëndrim të ashpër të hënën, duke thënë se qeveria e Britanisë së Madhe nuk e ka në plan që të ndryshojë qasjen dhe se Muzeu Britanik është vendi i duhur për skulpturat.

“Këto janë blerë ligjërisht në atë kohë, ato janë pronësi e ligjshme e muzeut. Nuk ka asnjë plan për të ndryshuar ligjin që e rregullon atë”, ka thënë zëdhënësi i kryeministrit britanik, Max Blain.