Botë

Netanyahu paralajmëron luftë të gjatë kundër Hamasit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se lufta e vendit të tij kundër Hamasit “mund të jetë luftë e gjatë”.

Izraeli i shpalli zyrtarisht luftë Hamasit më 8 tetor, një ditë pasi grupi militant nisi një sulm brutal terrorist ndaj Izraelit që vrau më shumë se 1400 njerëz.

Nënkoloneli i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Peter Lerner, tha se qëllimi i ushtrisë izraelite është “të godasë Hamasin dhe t’i bëjë të pafuqishëm në mënyrë që të mos jenë në gjendje të na sulmojnë përsëri”.

Duke folur në një konferencë shtypi në Jerusalem të martën së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, Netanyahu theksoi nevojën për të mposhtur Hamasin ose “ne të gjithë do të humbasin”.

Netanyahu deklaroi se Hamasi paraqet gjithashtu kërcënim për Evropën.

Ai gjithashtu i bëri jehonë paralajmërimit të Macron për Hezbollahun, grupi militant islamik i mbështetur nga Irani që dominon Libanin jugor, që të mos bashkohet me luftën. Ai tha se Hezbollahu do të “pendohet” nëse hyn në konflikt.

“Shpresoj që ata t'i kushtojnë vëmendje paralajmërimit tonë. Ata do të vuajnë pasoja të tmerrshme”, ka thënë ai.

Netanyahu krahason viktimat e Hamasit me Anne Frank, viktimat e masakrës së Babyn Yar

(Duke e krahasuar masakrën e 7 tetorit me Holokaustin, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se fëmijët hebrenj u detyruan të “fshiheshin” ashtu si Anne Franku.

“Sulmi i Hamasit ndaj hebrenjve të pafajshëm ishte gjithashtu i krahasueshëm me vrasjen masive të afro 34 mijë hebrenjve në Babyn Yar të Kievit në vitin 1941”, ka shtuar Netanyahu, duke e quajtur sulmin më të keq, të përjetuar nga Izraeli që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ishte sulmi më i keq terrorist që ka njohur bota që nga sulmi i Kullave Binjake dhe për Izraelin ishte si njëzet sulme të Kullave Binjake”, është shprehur Netanyahu, duke e quajtur betejën kundër Hamasit “një luftë midis barbarizmit dhe qytetërimit”.

Duke e konsideruar Hamasin si “nazistët e rinj”, Netanyahu ka thënë se ashtu si bota mbështeti rezistencën franceze kundër sundimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, “sot bota është e bashkuar pas Izraelit”.

“Barbarizmi i Hamasit kërcënon Evropën dhe kërcënon botën. Hamasi është testi i botës kundër barbarizmit. Populli i Izraelit refuzon ta ketë ISIS-in në një enklavë terroriste në kufirin e tij”, këmbënguli ai, duke deklaruar se “askush nuk mund të jetojë kështu”. “Ne do ta çmontojmë makinën terroriste [të Hamasit] dhe strukturën e saj politike”, vazhdoi ai, duke u zotuar të “bëjmë çdo përpjekje për të çliruar pengjet tona dhe për t’i mbajtur civilët palestinezë jashtë rrezikut”.

“Hamasi është përgjegjës për viktimat civile” dhe “populli i Gazës nuk do të jetojë më nën tiraninë e Hamasit”, deklaroi ai më tej, duke i thënë Macronit se Izraeli “do të mbështetet në ndihmën tuaj të vazhdueshme derisa kjo betejë për të ardhmen tonë të përbashkët shkon drejt fitores” dhe se nëse “boshti i së keqes” që përbëhet nga Hamasi, Hezbollahu, Irani dhe militantët Huthi “dalin fitimtar”, atëherë “civilizimi do të jetë në rrezik”.