Botë

Putini i urdhëron luftëtarët e Wagnerit të betohen për besnikëri ndaj shtetit rus

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka urdhëruar luftëtarët e Wagnerit që të nënshkruajnë një zotim për besnikëri ndaj shtetit rus pas përplasjes vdekjeprurëse të aeroplanit që vrau Yevgeny Prigozhinin, shefin e grupit të mercenarëve.

Putini e nënshkroi dekretin duke e bërë aktin me efekt të menjëhershëm pasi Kremlini ka thënë se sugjerimet e Perëndimit se Prigozhini është vrarë me urdhrat e tij, ishin një “gënjeshtër absolute”.

Paraqitja e një betimi të detyrueshëm për mercenarët ishte një lëvizje e qartë që grupe të tilla të vihen nën kontroll më të rreptë shtetëror, raportoi Reuters.

Dekreti obligon këdo që kryen punë në emër të ushtrisë ose mbështet atë që Moska e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë, të thotë një betim zyrtar për besnikëri ndaj Rusisë.

Luftëtarët duhet të zotohen “për besnikërinë e tyre për Federatën Ruse... rreptësishtë t’i ndjekin urdhrat e komandantëve dhe eprorëve të tyre dhe në vazhdimësi të përmbushin obligimet e tyre”, thuhet në dekret.