Botë

Putini e kualifikon të dështuar kundërofensivën ukrainase

Zyrtarët ukrainas kanë qenë kryesisht të heshtur rreth zhvillimeve në fushëbetejë, që kur i filluan operacionet e hershme në kuadër të kundërofensivës. Megjithëkëtë, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar, ka thënë se trupat po përparojnë drejt qytetit të Melitopolit në rajonin e Zaporizhizhias. Ani se ky mund të jetë një mashtrim taktik dhe të dyja qeveritë mund të kenë përdorur dezinformimin për të fituar avantazhe në fushën e betejës, një manovër e tillë do të ishte në përputhje me atë që disa analistë patën parashikuar

Luftime të ashpra kanë shpërthyer në Ukrainën juglindore, teksa një zyrtar perëndimor ka pretenduar se Kievi zyrtar e ka nisur një sulm të madh e presidenti rus, Vladimir Putin, ka potencuar që “armiqësitë janë intensifikuar ndjeshëm”.

Betejat e javës së fundit janë zhvilluar në pika të shumta përgjatë vijës së frontit përderisa Ukraina po e zhvillon një kundërofensivë me armët e furnizuara dhe trupat e stërvitura nga Perëndimi në përballjen kundër forcave ruse që e pushtuan vendin 17 muaj më parë.

Putini e ka lartësuar “heroizmin” me të cilin ushtarët rusë po i zmbrapsnin sulmet në rajonin e Zaporizhzhias në juglindje, duke pretenduar se trupat e Moskës jo vetëm që kanë shkatërruar pajisjet ushtarake të Ukrainës, por edhe i kanë shkaktuar humbje të mëdha në forca Kievit zyrtar.

Ai ka këmbëngulur në një adresim para televizionit shtetëror rus se kundërofensiva e Ukrainës “nuk është e suksesshme” ndonëse nuk ishte e mundur që të bëhej verifikimi i pavarur për pretendimin e tij. Putini deklaratën e ka bërë sa ishte në Shën Petersburg, në një samit të liderëve afrikanë.

Heshtja e ukrainasve

Ukraina ka angazhuar me mijëra trupa në rajon gjatë ditëve të fundit, ka thënë një zyrtar perëndimor, i cili ka folur për AP-në në kushtin e anonimitetit pasi nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht mbi çështjen.

Që nga qershori, Ukraina ka zhvilluar luftime në këtë zonë, porse nuk është e qartë se si ndryshon përpjekja aktuale nga ajo e mëparshme e vendit që pati gjeneruar përfitime të theksueshme.

Zyrtarët ukrainas kanë qenë kryesisht të heshtur rreth zhvillimeve në fushëbetejë, që kur i filluan operacionet e hershme në kuadër të kundërofensivës. Megjithëkëtë, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar, ka thënë se trupat po përparojnë drejt qytetit të Melitopolit në rajonin e Zaporizhizhias.

Ani se ky mund të jetë një mashtrim taktik dhe të dyja qeveritë mund të kenë përdorur dezinformimin për të fituar avantazhe në fushën e betejës, një manovër e tillë do të ishte në përputhje me atë që disa analistë patën parashikuar.

Parashikimi i tyre ishte një kundërofensivë për të goditur korridorin tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të aneksuar jashtëligjshëm nga Moska zyrtare në vitin 2014, drejt Melitopolit, pranë Detit Azov. Kjo mund të ndajë forcat ruse në dysh dhe të ndërpresë linjat e furnizimit për njësitë më në perëndim. Rusia aktualisht kontrollon të gjithë bregdetin e Detit Azov. Kundërofensiva ukrainase po përballet me mbrojtjet ruse të ngulitura thellë, me fusha të minuara, llogore dhe pengesa antitank.

Instituti i Studimit të Luftës, një institut me bazë në Washington, ka raportuar se forcat ukrainase nisën “një operacion të rëndësishëm kundërsulmues të mekanizuar në rajonin perëndimor të Zaporizhzhias” të mërkurën dhe “duket se kanë thyer disa pozicione të parapërgatitura mbrojtëse ruse”.

Ai me këtë rast ka cituar burime ruse, duke përfshirë Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe disa blogerë të shquar ushtarakë rusë.

E presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka vizituar në ndërkohë komandantët ushtarakë dhe punëtorët që kujdeseshin për të plagosurit në veri të rajonit.

Ai, nëpërmjet një postimi në Telegram, ka bërë të ditur se ishte në Dnipro, përgjatë lumit Dnieper në veri të Zaporizhzhia, për takim me komandantët ushtarakë me qëllim që të diskutohet mbi mbrojtjen ajrore, furnizimet me municion dhe mbikëqyrjen mbi qendrat rajonale të rekrutimit. Ai ka vizituar edhe një objekt mjekësor për përkujdesjen e të plagosurit në front, teksa ka falënderuar stafin dhe ka vlerësuar rëndësinë e punës së tyre për shpëtimin e jetëve.

Rritja e kohëve të fundit e plagosurve që janë pranuar në një spital të Dnipros ka lënë të kuptohet se ritmi i luftimeve në zonën e afërt është shtuar.

Durim për sukses

Në atë që dukej të ishte një masë paraprake, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë, i njohur si FSB, të enjten ka ndaluar hyrjen e civilëve në Arabat Spit në Krime, një rrip ky i ngushtë tokësor që e lidh gadishullin e aneksuar me rajonin pjesërisht të pushtuar, Kherson. Khersoni është portë kyçe për në Krime.

Ndalimi është i nevojshëm për t’i përmbajtur kërcënimet e sigurisë, është njoftuar nga FSB-ja nëpërmjet një deklarate të cituar nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti.

Zyrtarët amerikanë, të cilët i kanë ofruar Kievit ndihmë ushtarake, nuk kanë pranuar të komentojnë publikisht për zhvillimet e fundit, ndonëse më herët kanë kërkuar durim teksa Ukraina kërkon të rrëzojë pozicionet ruse.

Lloyd Austin, sekretari amerikan i Mbrojtjes, ka thënë gjatë një vizite në Papua Guinenë e Re se përpjekja e Kievit për të rimarrë tokën e kapur nga Rusia që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë në shkurt të 2022-s do të ishte i ashpër dhe i gjatë, me suksese dhe pengesa.

E Antony Blinken, sekretari amerikan i Shtetit, ka theksuar se “një betejë intensive” po zhvillohet, porse nuk ka pranuar që të japë hollësi.

“Besojmë se mjetet, pajisjet, trajnimi, këshillat që shumë prej nesh kanë ndarë me ukrainasit gjatë shumë muajve i vendosin ata në pozitë të mirë për të qenë të suksesshëm në terren në rikuperimin e më shumë territorit që Rusia ka marrë nga Ukraina”, ka shtuar Blinken në rrjete sociale.

E një sulm me raketa në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, ka shkaktuar vdekjen e një civili dhe dëmtimin e infrastrukturës portuale të rajonit, në sulmin e fundit që kur Moska e prishi marrëveshjen për eksportin e grurit, ka njoftuar të enjten guvernatori i Odesës, Oleh Kiper. Në sulm janë përdorur raketa Kalibr të lëshuara nga Deti i Zi, ka treguar ai. Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan të enjten se kanë kapur 36 raketa ruse të lëshuara nga bombarduesit strategjikë Tu-95MS.

Përktheu: Blerta Haxhiu