Një seri rekordesh klimatike mbi temperaturën, nxehtësinë e oqeanit dhe akullin në Antarktik kanë alarmuar disa shkencëtarë të cilët thonë se shpejtësia dhe koha e tyre është "e paprecedentë".
Valët e rrezikshme të të nxehtit në Evropë mund të thyejnë rekorde të mëtutjeshme, ka thënë Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Është e vështirë që këto ngjarje të ndërlidhen menjëherë me ndryshimet klimatike sepse moti – dhe oqeanet – janë shumë të ndërlikuara.
Studime po bëhen, por shkencëtarët tashmë frikësohen se disa prej skenarëve më të këqi kanë nisur, shkroi BBC.
“Nuk e di ndonjë periudhë të ngjashme ku të gjitha pjesët e sistemit klimatik kanë qenë në territor rekord ose abnormal”, ka thënë Thomas Smith, gjeograf mjedisor në Shkollën Ekonomike të Londrës.
“Toka është në një territor të paeksploruar" tani për shkak të ngrohjes globale nga lëndët djegëse, si dhe nxehtësia nga El Nino i parë – një sistem moti natyror i ngrohjes – që nga viti 2018, ka thënë Paulo Ceppi, ligjërues i shkencës së klimës në Kolegjin Imperial të Londrës.
Katër rekordet e kësaj vere deri tash:
Dita më e nxehtë në botë
Bota përjetoi ditën e saj më të nxehtë në korrik, duke thyer temperaturën rekorde që ishte vënë në vitin 2016.
Temperatura mesatare globale arriti 17 gradë Celsius për herë të parë, duke u ngritur në 17.06 gradë më 6 korrik.
“Njerëzit janë 100% prapa trendit të ngritjes”, ka thënë Friederike Otto nga Kolegji Imperial.
Qershori më i nxehtë në botë
Temperatura mesatare globale në qershor këtë vit ishte 1.47 gradë Celsius mbi qershorin tipik.
Smith ka thënë se ajo që ishte parashikuar 10 vjet më parë, po shihet sot. Por, ka shtuar se modelet klimatike nuk mund të parashikohen për 10 vjetët e ardhshme si një dekadë më parë.
“Modelet nga vitet 1990 na kanë sjellë këtu ku jemi sot. Por, të kesh ide se si do të duket pas 10 vjetëve, do të jetë shumë e vështirë”.
Valët ekstreme të të nxehtit në ujë
Temperatura mesatare globale e oqeanit ka thyer rekordet për maj, qershor dhe korrik. Po i afrohet temperaturës më të lartë të sipërfaqes së detit, që ishte në vitin 2016.
Por, është i nxehti ekstrem në oqeanin Atlantik nga veriu që veçanërisht po alarmon shkencëtarët.
“Kurrë nuk kemi pasur valë të nxehti detare në këtë pjesë të Atlantikut. Nuk e kam pritur këtë”, ka thënë Daniela Schmidt, profesoreshë e Shkencave të Tokës në Universitetin e Bristolit.
Rekord në akullin e Antarktikut
Zona e mbuluar nga akulli i detit në Antarktik është i ulët në nivele rekorde për korrik. Është një zonë rreth 10 herë e madhësisë së Mbretërisë së Bashkuar që mungon, krahasuar me masën e viteve 1981-2010.
Qartazi mund të presim më shumë rekorde përgjatë këtij ndërsa ky vit kalon dhe hyjmë në vitin 2024, thonë shkencëtarët.