Botë

Putin: Sanksionet po e bëjnë më të fortë Rusinë

Rusia do të vazhdojë t’i kundërshtojë sanksionet perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, ka thënë presidenti Vladimir Putin të martën në një samit, shkruan BBC.

Fjalimi i tij në samitin virtual të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) ishte i pari në një takim ndërkombëtar që nga rebelimi i muajit të kaluar të Wagnerit në Rusi.

Putini mbështeti marrëveshjet tregtare midis vendeve të SCO-së në monedhat lokale - e parë si një përpjekje për të zbutur sanksionet.

Samiti i SCO-së 2023 po zhvillohet virtualisht, nën udhëheqjen e Indisë.

Putin përdori platformën për t'i dërguar mesazh sfide Perëndimit, duke thënë se “Rusia i kundërshton të gjitha këto sanksione, presione dhe provokime të jashtme dhe vazhdon të zhvillohet si kurrë më parë”.

Ai ka bërë disa paraqitje publike që kur grupi mercenar i Wagnerit organizoi rebelim jetëshkurtër në fund të qershorit, por ishte hera e parë që shihej me një grup liderësh ndërkombëtarë.

“Dëshiroj të falënderoj kolegët e mi nga vendet e SCO-së që shprehën mbështetjen për veprimet e udhëheqjes ruse për të mbrojtur rendin kushtetues dhe jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, ka thënë ai.

Putin shtoi se më shumë se 80% e tregtisë midis popullit kinez dhe rus ishte në rubla dhe juanë dhe u kërkoi anëtarëve të tjerë të SCO-së të ndiqnin të njëjtin proces.

Ai përshëndeti gjithashtu kërkesën e aleatit rus Bjellorusisë për t'u bërë anëtar i përhershëm i SCO-së vitin e ardhshëm.