Botë

Ministrat e Jashtëm të G7-s të përkushtuar ndaj sanksioneve kundër Rusisë

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s “mbeten të përkushtuar për intensifikimin, koordinimin dhe zbatimin e plotë të sanksioneve kundër Rusisë”, si dhe ofrimin e mbështetjes së Ukrainës, sipas Ministrisë së Jashtme të Japonisë.

Ministrat e Jashtëm të G7-s u mblodhën të hënën në qytetin japonez të Karauizawa për tre ditë takime përpara samitit të muajit të ardhshëm në Hiroshima.

Grupi i ministrave nënvizoi se Rusia “duhet të tërheqë të gjitha forcat dhe pajisjet nga Ukraina menjëherë dhe pa kushte”, sipas deklaratave të publikuara të hënën.

Ai dënoi gjithashtu njoftimin e presidentit rus Vladimir Putin për vendosjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, duke e quajtur retorikën bërthamore të Rusisë të papërgjegjshme dhe të papranueshme.