Reshjet e mëdha të borës dhe temperaturat në rënie kanë mbyllur shkollat dhe dyqanet në kryeqytetin grek, Athinë, të hënën, teksa shumë shërbime publike dhe biznese kanë kaluar në punën në distancë, raportoi Reuters.
Qarkullimi është ndaluar në disa rrugë qendrore dhe në një rrugë kombëtare që lidh Athinën me Greqinë qendrore, pasi stuhia Barbara ka përfshirë gjithë vendin.
Edhe disa stacione metroje pranë aeroportit ndërkombëtar të qytetit janë mbyllur dhe rrugët e trenave për në qytetin verior të Selanikut u pezulluan.
Autoritetet i kërkuan njerëzve të shmangin udhëtimet.
Sipas televizionit shtetëror “ERT” ekipet e shpëtimit të brigadës së zjarrfikësve kanë evakuuar katër persona, vetura e të cilëve ishte bllokuar në dëborë në periferinë e Athinës, Aspropyrgos.
Pushimi i ftohtë pritet të zgjasë deri të martën, duke prekur gradualisht rajonet lindore dhe jugore, përfshirë ishullin e Kretës.
Dëbora e madhe është e rrallë në kryeqytetin grek, por vendi tashmë është goditur nga moti ekstrem për dimrin e tretë radhazi. Deri në borën e së hënës, dimri në Greqi ka qenë jashtëzakonisht i butë deri më tani këtë vit.