Botë

BE-ja zotohet t’i shtojë ndihmën për Ukrainën dhe sanksionet për Rusinë

Bashkimi Evropian është zotuar që do ta dyfishojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke i trajnuar 15 mijë ushtarë të tjerë, si pesë e një deklarate e cila synon të tregojë se “do të qëndrojë krah Ukrainës për aq sa të ketë nevojë”.

BE-ja po ashtu është zotuar për sanksione të reja ndaj Rusisë.

Duke folur në fillim të një udhëtimi dy-ditor në Kiev, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përsëriti se BE-ja synon të ketë një paketë të dhjetë sanksionesh kundër Rusisë deri më 24 shkurt, në përvjetorin e parë të fillimit të luftës nga presidenti rus, Vladimir Putin, raportoi The Guardian.

“Ne po e bëjmë Putinin të paguajë për luftën e tij mizore”, u tha ajo gazetarëve, në një vizitë të shoqëruar nga 15 komisionerë të BE-së, hera e parë që kaq shumë zyrtarë të BE-së kanë vizituar një zonë lufte.

"Sot Rusia po paguan një çmim të rëndë pasi sanksionet tona po gërryejnë ekonominë e saj, duke e kthyer atë pas një brezi”, shtoi ajo.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha se ekziston një detyrë e përbashkët për të frenuar anashkalimin e sanksioneve, duke deklaruar se "sa më shumë ta bëjnë atë, aq më afër do të jenë në mposhtjen e agresionit rus".

Me një premtim për të "vazhduar presionin", Von der Leyen përsëriti gjithashtu se BE-ja do të kufizojë çmimin e produkteve të naftës ruse, si pjesë e një plani më të gjerë të G7-së për të kufizuar të ardhurat nga nafta në dispozicion të makinës së luftës së Kremlinit.

G7 dhe BE kanë rënë dakord tashmë për një kufi të çmimit të naftës së papërpunuar që hyri në fuqi dhjetorin e kaluar dhe sipas Von der Leyen, i kushton Rusisë 160 milion euro në ditë.