Avokati i presidentit amerikan, Joe Biden, Bob Bauer, ka deklaruar se nuk janë gjetur dokumente të klasifikuara gjatë kërkimit që ka kryer FBI-ja të mërkurën në shtëpinë e Bidenit në Delaware.
Në një deklaratë për media, avokati ka thënë se kërkimi ishte “planifikuar” me mbështetjen e plotë të presidentit Biden, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Kërkimi i FBI-së i cili zgjati afërsisht katër orë është kryer për të gjetur dëshmi për posedim të dokumenteve të klasifikuara nga Bideni.
Avokati Bauer ka thënë se kontrolli u krye "pa njoftim paraprak publik" në interes të "sigurisë operacionale dhe integritetit".
“Disa materiale dhe shënime të shkruara me dorë që duket se datojnë në kohën e zotit Biden si zëvendëspresident midis 2009 dhe 2017 u morën për shqyrtim të mëtejshëm", ka shtuar Bauer.
Kërkimi është i fundit në një seri të kryer në vende të ndryshme, pasi dokumentet e klasifikuara u gjetën në Qendrën Penn Biden - një zyrë e tij në Washington, në nëntor.