Chris Hipkins, i cili luajti një rol të rëndësishëm në përgjigjen e Zelandës së Re ndaj pandemisë COVID-19, do ta zëvendësojë Jacinda Ardern si kryeministër pasi doli të shtunën si kandidati i vetëm për të udhëhequr Partinë e Punës në pushtet.
Hipkins, 44 vjeç, pritet të konfirmohet si lider në një takim të grupit parlamentar të dielën, duke pasuar Ardernin, e cila bëri një njoftim të befasishëm të enjten se ajo do të tërhiqej, raportoi Reuters.
"Unë mendoj se ne jemi një ekip tepër i fortë", tha Hipkins në një konferencë shtypi pasi partia e shpalli atë si kandidatin e vetëm.
"Ne e kemi kaluar këtë proces me unitet dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ndihem vërtet me fat që punoj me një grup kaq të mrekullueshëm njerëzish që kanë një përkushtim të vërtetë për shërbimin ndaj popullit të Zelandës së Re".
I njohur si "Chippy", Hipkins ndërtoi një reputacion për kompetencën në trajtimin e COVID-19.
Konfirmimi i Hipkinsit nga ligjvënësit laburistë të dielën pasdite pritet të jetë një formalitet. Ardern më pas do të paraqesë dorëheqjen e saj guvernatorit të përgjithshëm të Zelandës së Re përpara se të emërohet Hipkinsi.
Nëse konfirmohet, Hipkins do të jetë kryeministër derisa të përfundojë mandati i partisë.
© KOHA.