Botë

Putini e quan për herë të parë “luftë” atë që po ndodh në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, të enjten përdori për herë të parë fjalën "luftë" për t'iu referuar konfliktit në Ukrainë.

Deri tani, në fjalimet e tij, ai i është referuar asaj që po ndodh në Ukrainë si një "operacion ushtarak special", raportoi CNN-i të premten.

"Qëllimi ynë nuk është ta rrotullojmë vrullin e konfliktit ushtarak, por, përkundrazi, t'i japim fund kësaj lufte”, u tha Putin gazetarëve në Moskë, pasi mori pjesë në një takim të Këshillit të Shtetit mbi politikën rinore.

"Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të përpiqemi për këtë”, ka shtuar ai.

Kritikët e Putinit thonë se përdorimi i fjalës "luftë" për të përshkruar konfliktin e Ukrainës ka qenë efektivisht i paligjshëm në Rusi që nga marsi, kur udhëheqësi rus nënshkroi një ligj censurimi që e bën krim shpërndarjen e informacionit "të rremë" rreth pushtimit, me një dënim deri në 15 vjet burgim për cilindo të dënuar.