Mbretëria e Bashkuar mund të përballet me ndërprerje 3-orëshe të energjisë elektrike në ditë për shtëpitë dhe bizneset gjatë këtij dimri, njoftoi të enjten Al Jazeera.
Ky orar i reduktimeve të rrymës mund të ndodhë nëse vendi nuk është në gjendje të importojë energji elektrike nga Evropa, ka paralajmëruar Rrjeti Kombëtar Britanik.
“Në rast të pamundësisë për të importuar rrymë, disa konsumatorë mund të mbesin pa energji elektrike në periudha të paracaktuara ditore, përgjithësisht kjo supozohet të jetë për ndërprerje 3-orëshe”, ka thënë Operatori Kombëtar i Sistemit të Rrjetit Elektrik (ESO).
Mungesa e gazit në Evropë, si dhe çështjet e mirëmbajtjes me disa termocentrale bërthamore franceze, kanë rritur rrezikun që Britania e Madhe mund të mos jetë në gjendje të sigurojë gazin që i nevojitet ose importet e energjisë elektrike që merr zakonisht nga vende si Franca, Belgjika dhe Holanda.
Rusia ka shkurtuar furnizimet e saj me gaz në Evropë këtë vit dhe ndërsa Rusia plotëson vetëm 4 për qind të nevojave të Britanisë për gaz, ndërprerja e furnizimit të Evropë ka kontribuar në rritjen e çmimeve në Britani dhe e bën më të vështirë për Mbretërinë e Bashkuar të sigurojë gazin nga të tjerët.