Gjermania, Franca, Danimarka, Spanja, Italia dhe Republika Çeke kanë paraqitur 16 propozime për sanksione të reja si Bashkim Evropian kundër Iranit për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave për të drejtat e grave, shkroi të hënën Reuters.
Siç njofton një burim i Ministrisë së Jashtme gjermane, masat e propozuara do të synojnë njerëzit dhe institucionet përgjegjëse për shtypjen e protestave mbarëkombëtare që nisën nga vdekja në paraburgim i 22-vjeçares Mahsa Amini.
Këto vende kanë propozuar që ministrat e jashtëm të BE-së të vendosin lidhur me këto masa në takimin e tyre që pritet ta mbajnë më 17 tetor.
“Tani po punojmë pa probleme për t’i zbatuar këto propozime”, ka thënë burimi i Reuters.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, derisa premtoi sanksione të hënën, ka thënë se shtypja e protestave nga Irani e mohon fuqinë e lirisë.
"Ne mund të përforcojmë zërin e tyre, të ngremë akuza dhe sanksione. Dhe këtë po e bëjmë", shkroi Baerbock në Twitter.
Protestat antiqeveritare, të cilat filluan më 17 shtator në qytetin kurd të Saqez, janë shndërruar në shfaqjen më të madhe të kundërshtimit ndaj autoriteteve të Iranit ndër vite.
Organizata iraniane për të drejtat e njeriut, me bazë në Norvegji, ka thënë se më shumë se 100 njerëz janë vrarë që kur kanë nisur protestat në më shumë se 80 qytete.
Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë numër të saktë të të vdekurve, ndërsa thonë se në mesin e viktimave janë edhe shumë anëtarë të forcave të sigurisë.
Javën e kaluar televizioni shtetëror tha se 41 persona kishin vdekur.