Botë

Çiftet në Afganistan detyrohen t’i shmangin restorantet

Descriptive Text

Maryam Hotakut i pëlqen të hajë jashtë dhe kryeqyteti i Afganistanit, Kabul, ku ajo jeton, ka një numër të madh restorantesh, që ofrojnë qebapë, pilaf me mish viçi dhe petë të shijshme “manto”.

Restorantet e qytetit me pesë milionë banorë kanë kuzhinë të huaj dhe afgane.

Për fat të keq, shumë prej tyre tani janë të shtrenjta për shumë afganë që luftojnë për të mbijetuar krizat humanitare dhe ekonomike - një vit pasi talibanët kanë marrë pushtetin.

Por, Hotak ka ndaluar së ngrëni jashtë me bashkëshortin e saj për një arsye tjetër. Ajo thotë se ngacmimet e pandërprera nga talibanët fanatikë i kanë bërë të mos dalin më në restorante.

“Militantët talibanë ju marrin vazhdimisht në pyetje kur hani jashtë”, thotë ajo, duke kujtuar një incident të fundit. “Ata e pyetën burrin tim: Kush është ajo dhe pse e keni sjellë këtu? Kur u thamë se ishim të martuar, na kërkuan prova”.

Hotak thotë se ngjarja e sikletshme i detyroi ata të mos hanë më jashtë.

“Nuk jemi të vetmit”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë. “Kjo është arsyeja përse shumë klientë nuk shkojnë më në restorante - gjë që i bën ato të duken të shkreta”, thotë Hotak.

Idreesi, menaxher i një restoranti të shtrenjtë në Kabul, thotë se biznesi i tij i ka humbur me shpejtësi klientët, për shkak të ngacmimeve nga talibanët.

“Ne kemi qenë vazhdimisht dëshmitarë... kur shihnin një çift apo çifte të ulura së bashku, i pyesnin se çfarë lidhjesh kanë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Idreesi thotë se klientët e tij shmangin vizitat në restorant, për shkak të frikës nga talibanët. “Njerëzit vinin me familjet e tyre dhe burrave u pëlqente t'i sillnin të fejuarat e tyre këtu. Por, tani, talibanët i marrin në pyetje kur janë të ulur bashkë. Kjo është arsyeja përse njerëzit po i shmangin restorantet - gjë që na e ka shkatërruar biznesin”, thotë ai.

Prej se kanë marrë pushtetin në gusht të vitit 2021, talibanët e kanë bërë ndarjen gjinore hallkë të politikës së tyre. Grupi islamik i linjës së ashpër i ka ndaluar vajzat të shkojnë në shkollë të mesme dhe i ka dekurajuar gratë që të punojnë dhe të luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në jetën publike.

Autoritetet talibane kanë arrestuar dhe keqtrajtuar gra aktiviste dhe gazetare. Bizneset e udhëhequra nga gratë ose janë mbyllur, ose janë duke u përballur me vështirësi ekonomike.

Në maj, talibanët i kanë ndaluar burrat dhe gratë të hanë së bashku në qytetin Herat.

Riazullah Seerat, zyrtar taliban në Ministrinë për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit në Herat, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se restorantet janë paralajmëruar gojarisht se çiftet nuk lejohen të darkojnë “edhe nëse janë burrë e grua”.

Në Kabul, Mohammad Sadiq Akif Mohajir, zëdhënës i kësaj ministrie, ka mohuar se talibanët i marrin në pyetje çiftet në restorante.

“Pretendimet e tilla nuk janë gjë tjetër veçse propagandë e thjeshtë”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse shumica e afganëve preferojnë të hanë në shtëpi, biznesi i restoranteve është rritur shumë në dy dekadat e fundit, sidomos në Kabul dhe disa qytete të tjera.

Mohammad Khan, pronar i një restoranti në kryeqytetin afgan, thotë se biznesi i tij është duke vdekur ngadalë. Ai thotë se i ka humbur klientët për shkak të kufizimeve nga talibanët dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve. Në shumicën e ditëve thotë se ka shumë pak klientë.

“Ne, thjesht, rrimë këtu nga mëngjesi deri në mbrëmje. Biznesi është pothuajse zero”./REL