Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë sanksionuar policinë morale të Iranit, duke e futur në listë të zezë të enjten, pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares, Mahsa Amini, që u arrestua nën dyshimin se mbante shaminë në mënyrë të pahijshme, shkroi e përditshmja franceze “Le Monde”.
Thesari i SHBA-së ka thënë se policia iraniane e moralit është përgjegjëse për vdekjen e Aminit.
Sanksionet u vendosën, pasi protesta të dhunshme shpërthyen në të gjithë Iranin pas vdekjes së Aminit javën e kaluar.
"Mahsa Amini ishte një grua e guximshme, vdekja e së cilës në paraburgimin e policisë morale ishte një akt tjetër brutaliteti nga forcat e sigurisë të regjimit iranian kundër popullit të tij. Ne e dënojmë këtë akt të pandërgjegjshëm dhe i bëjmë thirrje qeverisë iraniane që t'i japë fund dhunës ndaj grave dhe ndaj shprehjes së lirë", ka thënë Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.
Mediat kanë raportuar se numri i të vdekurve nga protestat masive ka shkuar në 31.
Sanksionet e thesarit synojnë të ngrijnë çdo pasuri që personat e caktuar mund të kenë nën juridiksionin e SHBA-së.