Pas ndërmjetësimit të princit saudit, Mohammed bin Salman, Rusia ka liruar të mërkurën 10 të burgosur të huaj lufte që janë kapur në Ukrainë, ka thënë Ministria e Jashtme saudite, shkroi Reuters.
Të burgosurit e liruar, raportohet se janë shtetas amerikanë, britanikë, kroatë, marokenë dhe suedezë.
“Autoritetet përkatëse saudite i morën dhe i transferuan nga Rusia në mbretëri dhe po lehtësojnë procedurat për vendet e tyre përkatëse”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Arabia Saudite.
Ministria nuk i identifikoi të burgosurit. Një zyrtar saudit tha se ata ishin pesë britanikë, dy amerikanë, një kroat, një maroken dhe një shtetas suedez.
Kryeministrja britanike Liz Truss e përshëndeti lirimin e shtetasve britanikë në Twitter si "lajm të jashtëzakonshëm pas disa muajsh pasigurie dhe vuajtjeje për ta dhe familjet e tyre”.
Një numër i madh i të huajve kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt. Disa prej tyre janë kapur nga forcat ruse, së bashku me të huaj të tjerë në vend, të cilët thonë se nuk ishin luftëtarë.
Princi Mohammed ka mbajtur lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, pavarësisht presionit të madh nga Uashingtoni për të izoluar Rusinë.
Rusia ka mohuar torturën dhe format e tjera të keqtrajtimit të të burgosurve.