32-vjeçari Myles Sanderson, i cili dyshohet për sulmin me thikë të dielën në Kanada, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe 18 të tjerë të plagosur, ka 59 dënime të mëparshme për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë edhe histori dhune, shkroi të mërkurën BBC-ja.
Së fundmi, ai ishte liruar në shkurt, derisa vuante një dënim me katër vjet burgim.
"Dua të di arsyet pas vendimit që ai ka vazhduar të jetë i lirë. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar nga ajo që ndodhi këtu", tha ministri i Sigurisë Publike, Marco Mendicino.
I dyshuari tjetër, vëllai i tij 31-vjeçar, Damien Sanderson, u gjet i vdekur nga policia të hënën në qendër të Saskatchewanit.
Katër ditë pas sulmit vdekjeprurës me thikë, vazhdon të ketë paqartësi. Ende nuk dihet nëse Myles Sanderson veproi vetëm apo me ndihmë, përveç përfshirjes së vëllait të tij, Damien.
Dokumentet tregojnë se Myles Sanderson ka një histori kriminale prej dekadash, duke përfshirë 59 dënime penale që kur ishte 18 vjeç, ku përfshihen sulme, kërcënime dhe grabitje.
Bordi i lirimit me kusht kishte thënë në shkurt se ai nuk do të paraqiste rrezik dhe se lirimi i tij do të kontribuonte në mbrojtjen e shoqërisë, duke lehtësuar rehabilitimin e tij.
Mendicino ka thënë se ky vendim do të hetohet.
© KOHA.