Botë

Habeck: Objektet e magazinimit të gazit në Gjermani po mbushen më shpejt se sa ishte planifikuar

Gjermania ka rezerva të gazit deri në fund të verës nëse ndërpritet furnizimi nga Rusia

Objektet e magazinimit të gazit në Gjermani po mbushen më shpejt se sa ishte planifikuar, ka thënë ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, duke dhënë shpresë se ekonomia më e madhe e Evropës mund të shmangë mungesat akute të gazit këtë dimër, shkroi të dielën Reuters.

"Rezervuarët po mbushen më shpejt se sa është specifikuar," u citua të ketë thënë Habeck nga Revista Der Spiegel, duke shtuar se qëllimi i qeverisë për të arritur kapacitetin e ruajtjes 85 për qind deri në tetor mund të arrihet deri në fillim të shtatorit.

Gjermania është në fazën e dytë të një plani emergjence me tri faza, i formuluar pas një reduktimi të flukseve të gazit nga Rusia, furnizuesi i saj kryesor.

Vetëm 9.5 për qind e konsumit të gazit të Gjermanisë në gusht erdhi nga Rusia, raportoi Spiegel, duke cituar të dhëna nga shoqata e industrisë së energjisë BDEW. Vitin e kaluar, gazi rus përbënte rreth 55 për qind të konsumit total të vendit.

"Kompanitë do të jenë në gjendje të tërheqin gazin nga objektet e magazinimit siç është planifikuar gjatë dimrit për të furnizuar industrinë dhe familjet", ka thënë Habeck.